Senatorët amerikanë, republikanë dhe demokratë, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për qetësim të situatës në veri të vendit.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts, në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet t’i dëgjojnë thirrjet e ndërkombëtarëve për ta shtensionuar situatën në veri.
Në deklaratë thuhet se dështimi për të depërshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi dhe do të rrezikonte “pa nevojë marrëdhëniet tona dypalëshe”.
“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne përsërisim se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin e SHBA-së për përpjekjet e Bashkimit Evropian, në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një rezolutë të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiq duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të deeskaluar situatën, për të rikthyer besimin popullor në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Tutje senatorët kanë nxitur dy udhëheqësit që t’i konsiderojnë hapat e tyre të ardhshëm, duke shtuar se i inkurajojnë që ata të zgjedhin paqen, prosperitetin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.
“Dështimi për të de-përshkallëzuar situatën do të shkaktonte pasoja nga Perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në një rrugë përpara, dhe pa nevojë rrezikon të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje përpara pa vonesë”, thuhet në njoftim.
Kjo deklaratë ka ardhur pas një bisede telefonike mes kryeministrit Kurti dhe senatorëve Shaheen, Murphy dhe Ricketts./Koha.net/