Sa para kanë shpenzuar kosovarët për viza?

0
125

Pritjes duket se po i vjen fundit. Kosovarët pritet që përfundimisht, më së largu nga 1 janari 2024 të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Megjithatë, krejt kjo pritje nuk ka qenë fort e lehtë. Madje, ka pasur edhe një kosto të madhe.

Sipas disa përllogaritjeve të bëra, del se kosovarët kanë shpenzuar miliona euro për procedurat e marrjes së vizave.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% e kosovarëve kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE-së, për vizita turistike. Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19.

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkan, kosovarët shpenzojnë mesatarisht 165 euro për aplikim për vizë Schengen. Kur kjo vlerë i shtohet numrit të aplikimeve, del që kosovarët kanë shpenzuar mbi 72 milionë euro gjatë viteve 2016-2021.

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen. Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.

Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

Leave a Reply