RrOK reagon pas publikimit të përfituesve të subvencioneve nga DKRS

0
197
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

Rrjeti i Organizatave Kulturore në Prizren, ka reaguar përmes një komunikate pas publikimit të përfituesve të subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport. Komuna e Prizrenit ka publikuar vetem listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e DKRS-së, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve, figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.

RrOK-u, pas publikimit të listës preliminare ka kërkuar nga DKRS-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:

Shuma financiare

Përshkrimi i shkurtër i projektit, dhe

Emrat e Komisionit Vlerësues

Rrjeti i Organizatave të Kulturës konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes.

Mirëpo DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit.

Prandaj Rrjeti i Organizatave të Kulturës bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike. Përveç kësaj transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjej zbatim edhe në praktikë.”, thuhet në fund të këtij reagimi.

Leave a Reply