Mesfushori kosovar, Elvis Rexhbeçaj, do t’i japë fund aventurës së tij me Augsburgun në përfundim të këtij sezoni, për t’u rikthyer te Wolfsburgu nga sezoni i ardhshëm, shkruan 04 Online.
Klubi gjerman e ka zyrtarizuar marrëveshjen për rikthimin e lojtarit, duke konfirmuar se ai do të transferohet si lojtar i lirë dhe do të nënshkruajë kontratë afatgjate deri në vitin 2030.
“Elvisi po kthehet”, shkroi fillimisht klubi gjerman në rrjetet sociale.
“Pas katër vjetësh të kaluar ne Augsburg, Elvis Rexhbeçaj do të transferohet në Wolfsburg si lojtar i lirë dhe do të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2030. Mezi presim të shihemi, Elvis”, shkroi tutje klubi nga Bundesliga gjermane.
Rikthimi i Rexhbeçajt konsiderohet një lëvizje e rëndësishme për Wolfsburgun, që synon stabilitet dhe forcim të skuadrës për sezonet në vijim.
“Me Elvisin po e rikthejmë një lojtar që e ka një lidhje të ngushtë me VfL Wolfsburg dhe me qytetin. Fakti që ai është angazhuar tek ekipi i jonë gjatë kësaj faze sportive të vështirë na bën edhe më të kënaqur. Përveç cilësive të tij futbollistike, ai dallohet për një personalitet të fortë që ndihet si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai jep gjithçka në çdo ndeshje dhe merr përgjegjësi. Jemi të bindur se Elvisi do ta ndihmojë skuadrën me këto cilësi dhe mezi e presim rikthimin e tij në verë,” theksoi drejtori sportiv i klubit gjerman, Pirmin Schwegler.
Rexhbeçaj rikthehet në një ambient të njohur për të, pasi më parë kishte qenë pjesë e Wolfsburgut para se të transferohej te Augsburgu, ku zhvilloi disa sezone të suksesshme dhe u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës./04 Online














































