Reforma në vend të paketimit të ri politik në LDK!

0
563

Nën moton “LIDHJA PËR TË ARDHMEN”, Lidhja Demokratike e Kosovës të premten e kaluar (29.04.2022) mbajti “Konventën Programore” në të cilën u diskutuan një mori temash, filluar nga orientimet ideologjike e programore politike, politikën e jashtme, mërgatën e bashkëpunimin rajonal, për shtetin, sigurinë, zhvillimin, arsimin, shëndetësinë, për mirëqenien, familjen, avancimin shoqëror dhe qeverisjen lokale në Kosovë, por, për habi nuk u fol asnjë fjalë e vetme për reformat, zgjedhjet dhe ristrukturimin e brendshëm partiak!

Konventë që siguron mbajtjen e strukturave aktuale, por jo edhe rritjen partiake

Anipse në këtë “Konventë” u mblodhëm të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë, anëtarët e Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, deputetët, kryetarët e Komunave, kryetarët e Degëve e asambleistët lokal, për habi asnjërit prej tyre nuk i ra ndërmend të ngrisë zërin për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme dhe reformimin e partisë, thuajse gjithçka është në rregull me një përfaqësim prej 12 deputetësh në Kuvend!

Përfundimi i një “Konvente Programore”, pa futjen e zgjedhjeve të brendshme partiake si pikë e parë e kësaj konvente programore, gjegjësisht e organizimit të zgjedhjeve nga baza elektorale e deri në nivelin qendror, më shumë i ngjet një paketimi të ri sesa një programi të qartë politik për rimëkëmbjen e këtij subjekti politik, të subjektit më të vjetër në skenën politike kosovare, të kalasë me themele të forta rugoviane, e cila u bëri ballë stuhive të shumëta politike deri në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, nga të cilat LDK-ja doli e tkurrur dhe e dërmuar më shumë se asnjëherë më parë.

E kam thënë edhe më herët në një shkrim paraprak, se suksesi i zgjedhjeve lokale nuk është produkt i lidershipit aktual, por meritë e punës dhe autoritetit të kandidatëve të nivelit lokal, sikurse që edhe humbja e disa komunave të mëdha, është pasojë e mospunës dhe konsumimit të disa kuadrove meritore në të kaluarën.

Vetëkënaqësia nga suksesi i zgjedhjeve lokale, pa organizimin e zgjedhjeve të brendshme partiake, pa reformim të vërtetë dhe substancial, LDK-së mund t’i kthehet bumerang në zgjedhjet nacionale.

Lidershipi dhe strukturat udhëheqëse të LDK-së duhet t’i analizojnë mirë të gjitha rrethanat për të ardhmen e subjektit politik, ngase nuk mund të shkohet tutje me improvizime të sukseseve inekzistente dhe kamuflimin e dështimeve të njëpasnjëshme. Duhet t’i analizojnë me kujdes arsyet e lëvizjeve të elektoratit të LDK-së drejt subjekteve tjera, shkaqet dhe pasojat, tek atëherë të njerren konkluzione të sakta! 

Zgjedhjet e brendshme demokratike, kthejnë besimin e elektoratit të LDK-së

Nuk mjaftojnë frazeologjitë e bukura dhe as thirrja në filozofinë politike rugoviane, por zbatimi i saj në praktikë! Që i bie, zbatim në përpikmëri i rregulloreve dhe statutit të partisë me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike nëpër aktive, nëndegë dhe degë për ta nxjerrur një përbërje të re të Kuvendit Qendror Zgjedhor, nga i cili zgjedhet Këshilli i Përgjithshëm, Kryesia dhe Kryetari me legjitimitet të plotë dhe të pakontestuar nga askush.

Ndryshe, mbajtja e Kuvendit Zgjedhor vitin e kaluar (14 Mars 2021) dhe zgjedhja e kryetarit të ri me mandat 2 vjeçar, pas një viti e shtron nevojën e mbajtjes urgjente të zgjedhjeve nëpër Degë, Nëndegë dhe Aktive, për shkak se “Konventa Programore” është e pamjaftueshme për kthimin e besimit në elektorat dhe akoma më e pamjaftueshme për joshjen për kthim të elektoratit të larguar nga LDK-ja!

Që kjo të ndodhë, strukturat aktuale të LDK-së duhet t’i “ndezin motorët”, t’i vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat politik në Kosovë dhe Diasporë për ta rekuperuar kohën e humbur, për shkak se rivalët politik tashmë kanë përfituar terren të madh nga ndalesat dhe vonesat, nga ndarjet dhe përqarjet e brendshme të këtij subjekti politik, i cili që nga ndarja e parë pas vdekjes së liderit historik Ibrahim Ruova, asnjëherë nuk arriti ta rikthejë fuqinë e saj politike, si njëra nga partitë më të strukturuara dhe më të profilizuara në Kosovë.

Duhet eleminuar vija ndarëse e krijuar (padrejtësisht) në mes të “pleqve” dhe të “rinjëve” në LDK, për shkak se politika nuk funksionon mbi bazën e vijave ndarëse, por mbi bazën e tolerancës dhe bashkëpunimit me të gjithë, meritokracisë dhe respektimit të vlerave, transparencës dhe llogaridhënjes, unitetit dhe solidaritetit, respektimit të vullnetit të elektoratit, gjegjësisht dëgjimit të zërit të elektoratit para arritjes së marrëveshjeve me rivalët politik, gjë e cila ka ndikuar negativisht në pasivizimin e bazës elektorale të LDK-së përgjatë dekatës së fundit.

Shkruan: Florim ZEQA

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply