Kriza brenda Real Madrid po merr përmasa gjithnjë e më serioze. Pas përleshjeve dhe tensioneve të vazhdueshme mes Fede Valverde dhe Aurelien Tchouameni, klubi madrilen raportohet se është gati të aplikojë rregulloren e brendshme disiplinore ndaj dy lojtarëve.
Sipas Cope, drejtuesit e Real Madridit po shqyrtojnë masa të forta ndëshkuese, të cilat mund të përfshijnë jo vetëm pezullim nga skuadra, por edhe heqje të pagës për një periudhë të caktuar, përcjell Gazeta Express.
Raporti thekson se, sipas rregullores së klubit:
Për shkelje serioze parashihet pezullim nga puna dhe paga për 3 deri në 10 ndeshje.
Për shkelje shumë serioze, dënimi mund të shkojë nga 11 deri në 20 ndeshje pezullim, madje deri te largimi i plotë nga klubi.
Ngjarja që ka tronditur klubin ndodhi pas tensioneve të vazhdueshme në stërvitje. Fillimisht, Valverde dhe Tchouameni kishin një debat verbal, por situata u përshkallëzua ditën tjetër kur uruguaiani akuzoi francezin se kishte nxjerrë informacionet e konfliktit në media.
Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se Tchouameni kishte tentuar disa herë ta qetësonte situatën, ndërsa edhe disa lojtarë të tjerë kishin ndërhyrë për të shmangur përplasjen. Megjithatë, tensioni shpërtheu në një përleshje fizike që përfundoi me Valverden të lënduar dhe me nevojë për trajtim mjekësor.
Pas incidentit, drejtuesit e klubit zhvilluan një mbledhje urgjente në Valdebebas, ndërsa raportimet nga Spanja flasin për një atmosferë shumë të rënduar në dhomën e zhveshjes së Real Madridit. Situata bëhet edhe më delikate pasi skuadra po përgatitet për sfidat vendimtare të sezonit, përfshirë përballjen e madhe ndaj Barcelona.
Tashmë mbetet të shihet nëse Real Madridi do të vendosë vetëm pezullim të përkohshëm apo do të marrë masa edhe më drastike ndaj dy yjeve të mesfushës.















































