Vitin e kaluar në Kosovë humbën jetën 32 punëtorë, kryesisht në fushën e ndërtimtarisë. KMDLNj në vazhdimësi ka reaguar duke kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e inspektimeve nga inspektorët, si masa parandaluese. Gjithashtu kishte propozuar që mjetet e mbledhura nga dënimet të derdhen në një llogari të veçantë për familjet që e kanë humbur anëtarin ose për ata që mbesin me invaliditet të përhershëm. KMDLNj ka identifikuar mungesën e masave mbrojtëse, kushtet atmosferike, kualifikimin jo të duhur, shëndetin, moshën dhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme institucionale si shkaktarët kryesorë të humbjes së jetëve të punëtorëve në vendin e tyre të punës. Gjithashtu, shumë të punësuar nuk kanë një kontratë pune, andaj e kanë të pamundur t’i realizojnë të drejtat e tyre. Për fat të keq, askush nuk ka nxjerrë mësime nga humbja e jetëve, të evitueshme, pa asnjë dyshim dhe, për pasojë, edhe viti 2026 nuk ka ndryshuar në të mirë të sigurisë për punëtorët dhe jetën e tyre.
KMDLNj ka konstatuar se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike punëtorët pajtohen me çdo kusht që u ofrohet nga punëdhënësi, prandaj kemi një numër aq të madh të jetëve të humbura.
KMDLNj edhe më parë ka kërkuar që të rritet numri i inspektorëve në terren, por se kjo rritje është simbolike. Ose të angazhohet një kompani mbikëqyrëse që ka kapacitet profesional dhe personel të mjaftueshëm.
Luajtja ping-pong midis politikanëve, duke i hedhur përgjegjësinë njëri-tjetrit, aspak nuk ndihmon këtë çështje aq të ndjeshme. Përkundrazi, vetëm bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional mund të parandalojë humbjen e jetëve.
E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut, mirëpo kjo e drejtë nuk ka asnjë vlerë nëse nuk garantohet e drejta për jetë, mbi të cilën ngriten dhe ndërtohen të gjitha të drejtat e tjera.













































