Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen sot në kryeqytetin gjerman.
Kjo do të bëhet me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ky proces organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.
Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme, si dhe nuk ka as mekanizëm ndëshkues.
Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.
Zhbllokimi i CEFTA-s, e shmangi largimin e mundshëm të Kosovës nga Procesi i Berlinit, të vetmes platformë evropiane, ku Kosova prezantohet krejtësisht e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.