Prizreni një qytet me potencial të madh, vazhdon të përballet me një fenomen shqetësues në zgjedhjet parlamentare: mungesa e ndjenjës lokaliste dhe dështimi për të mbështetur kandidatët e vet në Kuvend.
Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje mori rreth 27 mijë vota në Prizren, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës siguroi rreth 15 mijë vota. Kjo do të thotë se vetëm këto dy parti grumbulluan mbi 42 mijë vota në qytet. Megjithatë, nga VV-ja vetëm dy-tre kandidatë të Prizrenit siguruan ulëse në Kuvend, ndërsa nga PDK-ja vetëm një deputet. Pyetja shtrohet: Pse Prizrenasit nuk votuan kandidatët e vet?
Përgjigja është e hidhur, por e thjeshtë: pazaret klienteliste dhe mungesa e vetëdijes për përfaqësimin lokal. Përderisa qytetet e tjera tregojnë një prirje më të madhe për të votuar përfaqësuesit e vet, Prizreni mbetet i ndarë dhe i paaftë për të krijuar një bllok të fortë përfaqësues në Kuvend. Kandidatët prizrenas, ndonëse të shumtë dhe me mundësi të mëdha për të fituar, nuk arritën të thyejnë barrierat e lojërave të mëdha politike që diktohen nga qendrat e partive.
Mungesa e një qasjeje të unifikuar dhe një vetëdije kolektive për rëndësinë e përfaqësimit lokal ka bërë që Prizreni të mbetet i nën-përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Në vend që të votonin për kandidatët e qytetit të tyre, shumë qytetarë zgjodhën të mbështesin emra nga qendrat e tjera.
Kjo tregon një problem më të thellë, qytetarët e Prizrenit nuk po e kuptojnë se fuqia politike e një qyteti varet nga përfaqësimi që ai arrin të sigurojë në institucionet shtetërore. Një qytet me 42 mijë vota (LVV-PDK) të shpërndara në mënyrë kaotike nuk mund të ketë ndikim politik të fortë!
Shkruan: Velard Paçarizi
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online