Ndonëse, këtë javë në Prizren, me një pompozitet medial u bë përurimi i renovimit të shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”, që sipas raportimeve kushtoi afër 800 mijë euro, ndërsa zgjati dy vjet, që në fillim u shfaqën probleme. Kjo shkaktoi reagime nga intelektual, kuvendar e qytetar, duke kritikuar investimin si “gjuajtje parash” dhe punime “shkel e shko”, raporton Gazeta e Prizrenit.
Gjatë përurimit të ndërtesës, zyrtarët lokal theksuan se tashmë janë krijuar kushte më të mira për punën e Teatrit dhe artistëve tjerë. Por, vetëm një ditë pas përurimit të Shtëpisë së Kulturës, ku ndodhet edhe selia e teatrit “Bekim Fehmiu”, ky i fundit njoftoi për anulimin e shfaqjes “Ping-Pong dhe Dashuri” (27 nëntor 2024), shkaku i mungesës së ngrohjes, brenda sallës.
Pas kësaj pati reagime e kritika nëpër rrjete sociale. Gazetari në pension Fahri Musliu, në reagim, të cilin e ka postuar edhe te njoftimi i teatrit për anulimin e shfaqjes, në facebook, e ka quajtur turp këtë, duke vlerësuar si gjuajtje parash investimin sikurse edhe shumë projekte tjera.
“Turp për investitorin dhe zbatuesin e punimeve dy vjeçare pa ndonjë ndryshim thelbësor. Salla e njëjtë, pa as një ndryshim, madje hapësira e rreshtave mes ulëseve ishte ngushtuar(?) dhe menzi kalohej. Dhe të mos instalosh ngrohjen për sallën e madhe është më shumë se çmenduri. Të ftohtin e përjetova bashkë me qindra pjesëmarrës në koncertin festiv të 80 vjetorit të Agimit, kur të gjithë i mbanin veshur palltat dhe xhaketat. Gjuajtje parash si për shumë projekte tjera. Meremetimi i këtij objekti që po quhet Teatri i Qytetit Bekim Fehmiu, i ngjan një gruaje plakë me makijazh”, ka shkruar ai.
Drejtori komunal i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adem Morina, për “Telegrafi” deklaroi se sistemi i ngrohjes në Shtëpinë e Kulturës është funksional, por në rastin konkret, ka pasur telashe, shkaku i problemeve teknike lidhur me lëshimin e ngrohjes për sallën e madhe, pasi është kaluar nga një standard i ulët, në një më të lartë janë hasur në vështirësi.
Ndërkaq, kuvendarja opozitare e Kuvendit Komunal, Dafia Alishani ( VV), reagoi duke e quajtur këtë turp dhe kryerje punësh pa kriter.
“Leje që turp prej gjithë atyre artdashësve të Prizrenit që kanë ardh në atë ftohtë, po turp prej atyre artisteve të mrekullueshem që kanë ardh nga Shqipëria, e edhe më turp është që teatri Bekim Fehmiu me qenë nikoqir i një shfaqeje pa nxemje! Nuk eshte marifet me dal te dera me thane vetem mireseerdhet, marifet është me e bë punën për cka je aty, edhe ashtu si qysh duhet e qysh e meriton ky vend e ky qytetar. Jo shkel e shko. Prizreni, qytet i kultures! Qyteraret e kultures pa kushte elementare. Turp…” shkroi ajo.
Qytetari, Blerim Q. Saramati anulimin e shfaqjes për shkak të mungesës së ngrohjes e konsideroi si një zhgënjim të thellë. “Pas dy vitesh punimesh e pritjeje, ishte e arsyeshme të besoja se çdo detaj ishte marrë parasysh, përfshirë edhe kushtet bazike për mirëmbajtjen e aktivitetit kulturor. Kjo situatë flet jo vetëm për mungesën e organizimit, por edhe për mosrespektimin e audiencës dhe të vetë artistëve. Teatri nuk është vetëm një ndërtesë; është zemra kulturore e qytetit tonë. Dhe ky moment, i kthyer nga pritje e gëzueshme në zhgënjim, është një reflektim i hidhur i përkushtimit të dobët ndaj kulturës”, ka shkruar ai. /Gazeta e Prizrenit