Prizren | Pajtohen AAK-ja e LVV-ja, në asamblenë komunale do të veprojnë politikisht të koordinuar

0
465

Kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi së bashku me nënkryetarin Bajram Kastrati dhe asambleistin Agim Muqaj kanë pritur në takim kryetarin e LVV-së në këtë qytet, Artan Abrashi dhe shefin e grupit të asambleistëve, Karanfil Haxhillari.

LVV-ja ju ka përgjigjur pozitivisht ftesës për takim dërguar nga AAK-ja.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi dhe bashkërendimi i veprimeve politike në asamblenë komunale pas zhvillimeve të fundit politike, ku partia e cila e udhëheq pushtetin lokal, PDK-ja ka humbur shumicën në asamble.

Siç thuhet në njoftimin e AAK-së, ata kanë gjetur gjuhë të përbashkët me LVV-në që veprimet e tyre politike në asamble të jenë të bashkë koordinuara.

“Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dega në Prizren z.Besnik Krasniqi, së bashku me asambleistët nga rradhët e AAK-së dega në Prizren z.Bajram Kastrati dhe z.Agim Muqaj, ka pritur sot në takim kreun e lëvizjes Vetëvendosje dega në Prizren z.Artan Abrashi dhe shefin e grupit të asambleistëve z.Karanfil Haxhillari, lidhur me ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike në asamblenë komunale të komunës së Prizrenit.
Duke mos dashur që Prizreni të bllokohet për shkak të mos funksionimit të asamblesë komunale dhe duke pasur parasysh nevojën për ndaljen arrogancës në qeverisje ku kërkesat e asambleistëve nuk merren parasysh porse shfrytëzohen vetëm si mekanizëm votues, kemi parë të rrugës të kemi këtë takim lidhur me koordinimin e veprimeve opozitare në kuadër të asamblesë komunale të Prizrenit, në të mirë të qytetarëve të komunës së Prizrenit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – dega në Prizren, shpreson që në bashkëpunim me subjektet politike në asamblenë komunale të Prizrenit, të ndërtoj një opsion real për qeverisjen, që garanton sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për qytetarët e komunës së Prizrenit”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Ditëve në vijim priten takime edhe me subjektet tjera politike pjesëmarrëse dhe jopjesëmarrëse në asamblenë komunale me të njëjtin qëllim politik./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here