Prizren | Aktakuzë kundër një personi për grabitje dhe armëmbajte pa leje

0
291

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër D.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Grabitja” nga neni 317, Grabitja” e ngelur në tentativë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 28, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Sipas aktakuzës, më datë 27.01.2023 rreth orës 15:09min, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “F.” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër- të dëmtuarës “F.”, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filiales Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11,370.00 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë) euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Grabitja”sipas KPRK-së.

Po ashtu, i njëjti me me datë 03.05.2023 rreth orës 16:01min, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “F.”me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “F.” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit. I gjendur në situatë konfrontimi dhe i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri D.G, datë 04.05.2023 rreth orës 13:35min, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro financiar “C.R.” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës “C.R.” me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2,280 (dymijë e dyqind e tetëdhjetë) Euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të veturës me të cilën largohet në drejtim të panjohur.

Me këto veprime D.G., ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 i KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here