Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Afrim Sylaj në kuadër të takimit për koordinimin lokal të sigurisë ka njoftuar se zyrtarët policorë kanë shtuar masat e kontrollit, veçanërisht gjatë orëve të natës.
Në këtë takim ai ka raportuar për gjendjen e sigurisë në Komunën e Suharekës, duke e vlerësuar si të qetë dhe stabile.
“Për gjendjen e sigurisë në Komunë, ka raportuar komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiten Afrim Sylaj, i cili fillimisht ka bërë të ditur që Policia e Kosovës ka shtuar masat e kontrollit sidomos gjatë orëve të natës”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.
Aty thuhet se Sylaj ka paraqitur edhe numrin e rasteve që kanë ndodhur gjatë dy javëve të shkuara, duke theksuar se gjithsejtë janë shqiptuar 540 tiketa për kundërvajtje, teksa janë realizuar edhe 29 urdhëresa të Gjykatës.
Nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka gjatë kryesimit të takimit ka njoftuar edhe për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohore në këtë komunë. /Telegrafi/