Carlos Alcaraz nuk e vendosi për asnjë moment në diskutim triumfin në gjysmëfinalen e tenisit në Lojërat Olimpike Paris 2024. Spanjolli u kualifikua duke dhuruar spektakël ndaj kanadezit Felix Auger-Aliassime të cilin e mposhti me shifrat e thella 6-1, 6-1.
Pas sfidës, tenisti nga Murcia premtoi spektakël edhe për finalen, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Djokovic-Musetti.
“Në fushë pata ndjesi shumë të mira, përfitova edhe nga koha që kisha në dispozicion për t’u rikuperuar. Arrita të isha i përqëndruar nga fillimi deri në fundin e ndeshjes. Në finale do të tentoj të bëj atë që bëj zakonisht dhe do ta mendoj si thjesht ndeshjen e radhës.
Është një moment i rëndësishëm në jetën time dhe të spanjollëve. Objektivi prej fillimit të këtij viti ka qenë medalja e artë. Përgatituni të gjithë për spektakël, do ju jap atë që kërkoni, medaljen e artë”, u shpreh Alcaraz./SS