PDK-ja s’ka vija të kuqe me asnjë parti, përfshirë edhe VV-në e Kurtit

0
192

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se partia e tij nuk ka asnjë vijë të kuqe për asnjë nga partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Krasniqi tha se PDK-ja asnjëherë s’ka pasur vija të kuqe për partitë shqiptare, që nga koha e Hashim Thaçit, duke vijuar me Kadri Veselin e tutje.

Sipas tij, kjo është një pjesë e trashëgimisë politike të PDK-së.

“A e ke dëgju ndokënd nga PDK që nga Thaçi, Veseli e Hoxha, që ka thënë kemi vija të kuqe për atë e për këtë. Jo që kemi qenë të hapur komplet, por kemi pasur parim që është pjesë e trashëgimisë politike. Duke i ekskomuniku partitë politike që kemi vija të kuqe për ta, konsideroj që i ofendojmë votuesit e tyre, që janë si ne, shqiptarë, mund të jenë familjarë tonë. Kur i thu kemi vijë të kuqe, është armiqësim që s’dua të kontribuoj”, tha Krasniqi, për RTV Dukagjini.

Ai tha se VV-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë pasur vija të kuqe në të kaluarën për PDK-në, por tashmë ato “janë fshirë”.

“Ka pas vija të kuqe, LDK, AAK, e VV, zakonisht me PDK kanë pasur, i kanë fshi ato vija.

I kam leju me hy në koalicione lokale me VV-në, jo që kemi pasur nevojë, por për me i tregu”, tha ai.

Krasniqi tha se PDK-ja preferon të bëjë koalicion paszgjedhor me ndonjë parti që është e përafërt ideologjikisht me të.

“Prefrenca e PDK-së për me kriju qeveri është me parti që kanë një qëndrim të qendrës së djathtë, VV-ja është parti e majtë, nuk kemi në hapësirë për me pasur program të përbashkët të qeverisë, s’mundemi që hendekun e ofendimet me i tejkalu aq lehtë.

Përtej kësaj kam bindje tjetër, nëse shkojmë në zgjedhje me Bedriun, me listën për deputetë, do i bindim qytetarët me e rikthy besimin që e kemi pasur dikur”, tha ai.

Lidhur me një koalicion të mundshëm më LVV-në, ndryshe nga kreu i PDK-së Memli Krasniqi, është shprehur Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka mohuar mundësinë e bashkëqeverisjes në të ardhmen me Lëvizjen Vetëvendosje.

Çitaku tha se PDK dhe LVV kanë dallime të mëdha qoftë politike, ideologjike dhe në sfera të tjera.

“Ne jemi në zgjedhje për t’i fituar ato dhe për t’i ofruar qytetarit të Kosovës një model ndryshe nga LVV.

Ne nuk shohim mundësi që me Vetëvendosje t’i realizojmë planet dhe projektet tona”, tha ndër të tjera Çitaku, për RTK.

Ajo më tej tha se partia e saj shkon në zgjedhje për të fituar e jo për të bashkëqeverisur me LVV-në.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here