Paralajmërimi i diplomatit amerikan, krejt çka tha O’Brien për Veriun e Kosovës dhe rrezikun e sigurisë në rajon

0
116

Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës po konsiderohen si rreziqet kryesore për sigurinë në rajon. Kështu ka vlerësuar ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i cili megjithatë theksoi se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe misioni i EUFOR-it në Bosnjë janë të gatshme “të pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”, transmeton Gazeta Sinjali.

O’Brien i tha të hënën agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug” se ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet e Kosovës dhe ato serbe, në përpjekje për të trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri të Kosovës.

Kjo, ka theksuar ai se jep një shans për procesin politik, që është dialogu (i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian), plani (evropian) i rritjes ekonomike dhe gjërat e tjera për të trajtuar shkaqet e dhunës.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti një tranzicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur “sipas Rezolutës 1244, KFOR ishte e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë”, O’Brien tha se rezoluta vendosi “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.

O’Brien tha se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj, duke nënvizuar se ajo “po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por pa kërcënuar fqinjët e saj. Mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt qëndrueshmërisë në rajon dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim”.

Diplomati amerikan ritheksoi mbështetjen ndaj bisedimeve Kosovë – Serbi dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të hënën O’Brien diskutoi në Uashington për këto çështje edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here