Paga minimale në Kosovë mbetet larg vendeve fqinje

0
309

Nga 1 prilli i këtij viti, Shqipëria ka bërë një rritje të pagës minimale nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, që e bën atë rreth 350 euro. Ndërkohë, në Kosovë, situata është ndryshe, pasi paga minimale nuk është rritur që nga viti 2011 duke mbetur më e ulëta në rajon. Një projektligj që do të mundësonte rritjen e pagës minimale në Kosovë ka mbetur “në sirtarë” që nga mesi i vitit 2022, dhe asgjë nuk është bërë për të ndryshuar këtë gjendje.

Projektlogji, i miratuar në lëxim të parë, duhet të kalojë leximin e dytë dhe të tretë të Kuvendit të Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidenti i vendit për të hyrë në fuqi. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, projektligji duhej të procedohej në lexim të dytë brenda dy ose tre muajve nga miratimi në leximin e parë, por kjo nuk ka ndodhur.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, paga mesatare në Kosovë mbetet më e vogla, duke madje shumë prapa edhe në krahasim me disa nga vendet fqinje siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Paga minimale në Mali të Zi është rreth 362 euro më e lartë (532.5 euro), Serbia rreth 290 euro më e lartë dhe Shqipëria, bazuar në rritjen e muajit prill të këtij viti, rreth 180 euro më e lartë.

Nisma pë rritjen e pagës minimale në Kosovë në vitin 2022 – e cili nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 – lidhet me një kohë kur çmimet e mallrave bazë janë rritur ndjeshëm.

Në anën tjetër, sipas një hulumtimi të Institutit për Kërkime të Avancuara GAP, mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë paguhen me pagë minimale dhe 94% e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.

“Të gjeturat e këtij raporti, i cili bazohet në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se rritja e pagës bruto në 264 euro prekë rreth 30% të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës. Nga ta, rreth 30 mijë punonjës (28%) janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë; 16 mijë (15%) në industrinë përpunuese; rreth 12 mijë (11%) në gastronomi; rreth 11.8 mijë (11%) në aktivitetet financiare dhe të sigurimit; 8.5 mijë (8%) në ndërtimtari, etj. Mbi 94% e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat. Përveç një numri të punonjësve tek sektori i sigurisë, rritja e pagës minimale nuk e prek fare sektorin publik. Me rritjen e pagës minimale në 264 euro, raporti në mes të pagës minimale dhe mediane rritet ndjeshëm, nga 43% në 66%.” – thuhet në publikimin e GAP-it.

Sipas të dhënave të Perspektivës Ekonomike Botërore, të përpunuara nga Gazeta Nacionale, Kosova renditet si shteti më i varfër në Evropë për vitin 2023 në këtë tregues, me një Produkt të Brendshëm Bruto për frymë prej 15 mijë e 619 dollarë ndërkombëtarë. Shqipëria renditet pas Kosovës me 19 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Kujtojmë se gjatë vitit 2022 Kosova është përballur me një inflacion që i ka tejkaluar nivelet disa dekadash me çmimet e produkteve esenciale që shënuan rritje pothuajse të pakontrolluar si pasojë e presioneve të mëdha inflacioniste të shkaktuara nga prishja e zinxhirëve të furnizimit të shkaktuara nga në masë të madhe nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Si një ekonomi e euroizuar me vlera importi stratosferike, Kosova ishte drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj krizës globale.

Raporti i Bankës Botërore vitin e kaluar gjithashtu vlerësoi se pakot sociale të qeverisë ishin shumë të “varfra” dhe të pafuqishme për të zbutur krizën ekonomike me të cilën po përballet Kosova, me inflacionin që mbetet problemi kryesor./Nacionale/

Leave a Reply