Njohja nga pesëshja e BE-së, Kurti i druhet reagimit të Serbisë: S’mund të tregoj cilit shtet i kam shkruar

0
171

Kryeministri Albin Kurti, ka folur për njohjen pavarësisë së Republikës së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për Rubikon, Kurti ka thënë se për këtë çështje, vendin tonë e ndihmojnë shumë aleatë ndërkombëtarë.

“Neve ndërmjetësit dhe shtetet aleate janë duke na ndihmuar shumë dhe unë besoj se është më mirë ta ndjekim këtë rrugë indirekte sa i përket avancimit te njohja e pesëshes. Nuk është thjesht në dorën tonë, dhe nuk besoj që do të ndihmonte që pas kësaj marrëveshje ne menjëherë t’i shkruajmë atyre. Ne i drejtohemi në çdo takim që i organizojmë. Nuk u jam drejtuar unë personalisht me letër, mirëpo këto janë edhe çështje të ndjeshme të lobimit. Nëse unë ju tregoj se kujt i kam shkruar letër javën e kaluar, unë bëj edhe dëm, sepse menjëherë Serbia i shkruan atij shteti. Unë nuk kam nevojë të tregoj publikisht se cilit shtet i shkrova së fundi. Serbia ka rrjet të ambasadave dhe të shërbimit të jashtëm shumë më të fuqishëm se ne”, deklaroi ai.

Tutje, kreu i ekzekutivit u pyet edhe për njohjet në përgjithësi, teksa u shpreh se nuk e ka përfunduar ende mandatin.

“Po flisni vazhdimisht thua se u kry mandati, edhe tash thatë gjatë mandatit. Është gjysma e parë e mandatit. Është e vërtetë që s’kemi asnjë njohje. Nuk varet krejt nga ne, ndërsa ne kemi bërë krejt çka dimë e mundemi. Nuk besoj që të tjerët kishin bërë më mirë. Më tregoni, në fushatën e dimrit 2021, kur kam thënë Punë dhe Drejtësi, a ka një fjalim timin që do të sjellim njohje apo liberalizim zë vizave? Jo! Ju do të më mbani përgjegjës për premtimet, jo për dëshirat tuaja”, theksoi Kurti.

Leave a Reply