Ka nisur dita historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare që do shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Pritja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Bruksel është bërë nga Presidente e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Pas një takimi mes tyre ku i pranishëm ishte edhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend që udhëheq Presidencën e BE-së kanë mbajtur një konferencë për shtyp.
Në një deklaratë të përbashkët shtypi Kryeministri Edi Rama ka falenderuar të gjithë që ishin pjesë e rrugëtimit drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Edi Rama: Do të ia nisja me falenderime dhe padyshim që dua të falenderoj së pari dhe kryesisht Presidenten e Komisonit Europian, Zonjën Ursula, e cila e dinte se si të bëhej një prani gjermano-ballkanike në këtë ndërtesë dhe të luftonte për të dy ne, për Ballkanin dhe BE. Dhe dua të falenderoj një tjetër zonjë gjermane, Angela Merkel, e cila ka ditëlindjen dhe do të doja të i uroja gjithë të mirat dhe ndërkohë s’do të ishin këtu pa përpjekjet e presidencës franceze dhe ekipit të tij që kanë punuar pareshtuar dhe të palodhur që të mbërrinim në përfundimin final francez i cili shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde. Shumë faleminderit popullit shqiptar i cili kurrë nuk u dorëzua dhe nuk reshti së ëndërruari ndjekjen e rrugëtimin evropian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka shkruar se ne duhet të ndërtojmë një Shqipëri Europiane, të fortë për një Ballakn të Hapur dhe demokratik.
Edi Rama: Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit por është fundi i fillimit, situata është kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngrejmë të ndërtojmë një Shqipëri Europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të hapur dhe demokratik.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, shkruan që Shqipëria sot do të ulet në tryezën e madhe të Bashkimit Europian.
“Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Facebook.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare me BE-në sot do të mbahet edhe për Maqedoninë e Veriut, pas zhbllokimit të ngërçit me Bullgarinë, që kishte vendosur veton ndaj Shkupit duke u bërë pengesë edhe për vendin tonë./Express