Nga VV thonë se faktori ndërkombëtar duhet përkrahur veprimet e Kosovës

0
103

Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit përfshirë edhe ato për hapjen e Urës së Ibrit, duket se kanë vënë në pikëpyetjet mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Por deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu për RTV21 thotë se veprimet politike të brendshme të qeverisë nuk do duhej ndërlidheshin me rrugën integruese të Kosovës. Sipas saj, mbështetja ndërkombëtare për Kosovën në këtë drejtim nuk duhet munguar.
“Kosova duhet të përkrahet sepse është komplet në të drejtën e saj dhe janë veprime dhe vendime mëse të nevojshme që edhe më shumë legjitimojnë sovranitetin e Kosovës. Nuk ka arsye dhe nuk do duhej mos e mbështete sepse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare vjen si rezultat i një pune shumëvjeçare dhe s’mund të hidhet poshtë çdo kriter që e plotëson Kosova për një çështje krejtësisht të brendshme politike”

Ajo mendon se nuk do te duhej të ndërlidhej kjo gjë me anëtarësim në organizata ndërkombëtare edhe pse jo rralle herë e kemi parë të ndodh një gjë e tillë.

“Nuk ka qenë asnjërën më mirë e pozicionuar në mekanizmat ndërkombëtar dhe asnjëherë me afër mekanizmave ndërkombëtar dhe BE-së s’kemi qenë prandaj se shoh si diçka të frikshme si diçka që ta sjell në piken zero krejt këtë progres tonin. Mendoj se kjo pjesë është një tjetër veprim që ne tregojmë se si shtet jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi që ndërlidhen me të ardhmen e vendit tonë. Dhe këtë e kanë kuptuar edhe aleatët”, tha Kryeziu.

Ndërkohë Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës duke thënë se rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes. Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane.

Së fundit mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri si dhe paralajmërimet e Qeverisë për hapjen e Urë së Ibrit ngjallën reagime të ashpra të faktorit ndërkombëtar duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here