Nenet të cilat i shfuqizoi Kushtetuesja tek Ligji për Zyrtarët Publik

0
186

Gjykata Kushtetuese të enjten ka publikuar njoftimin ku i ka hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtarët Publik, por i ka shpallur kundër kushtetues disa nene të këtij ligji.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, e njëjta ka vendosur që Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese e ka obliguar Kuvendin që në afatin prej 6 muaj nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit në raport me nenet e shfuqizuara nga kjo gjykatë.

“Në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më poshtë janë nenet dhe paragrafët të cilat Gjykata Kushtetuese i ka shfuqizuar:

Neni 9. par 3 dhe 5- Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik

Ky nen përcakton kriteret e përgjithshme për t’u pranuar si zyrtar publik në cilëndo kategori apo nivel të zyrtarëve publik.

Në paragrafët 3 dhe 5 të këtij neni të cilat i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese thuhet se:

“3. Pavarësisht përcaktimeve në paragrafin 1., nën-paragrafët 1.1. dhe 1.3. të këtij neni, të huajt, pjesëtaret/ët e diasporës dhe shtetaset/it nga vendet me të cilat Republika e Kosovës ka marrëveshje, të cilat/ët posedojnë kualifikimet e nevojshme për vendin e punës, mund të pranohen si zyrtarë publik. Qeveria, me akt nënligjor përcakton funksionet shtetërore në të cilat këto kategori mund të pranohen si zyrtarë publik.

Përshtatshmëria dhe/apo kritere specifike shtesë për emërim në pozitë sipas këtij neni, për të punësuarat/it në Presidencën e Republikës së Kosovës, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Sistemin e Drejtësisë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe institucionet e pavarura kushtetuese, rregullohet me këtë ligj dhe me akt të veçantë të miratuar nga organet kompetente të këtyre institucioneve”.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket kësaj dispozite thuhet se: “Marrë parasysh parimet e shtjelluara lidhur me sigurinë juridike, përfshirë detyrimin që dispozitat relevante të ligjit të jenë “të qarta, të qasshme dhe të parashikueshme”, Gjykata ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” është i papajtueshëm më garancitë kushtetuese sipas sqarimeve të dhëna në dispozitivin e Aktgjykimit”.

Neni 12. par 1.1 dhe 2 -Qeveria e Republikës së Kosovës

Sipas nenit 12 të Ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës miraton dhe koordinon politikat e përgjithshme shtetërore për punësimin e zyrtares/it publik, si dhe “mbikëqyr implementimin e tyre dhe për gjendjen e zyrtarëve publik i raporton Kuvendit të Kosovës.

“1.1.miraton dhe koordinon politikat e përgjithshme shtetërore për punësimin e zyrtares/it publik, si dhe mbikëqyr implementimin e tyre

Qeveria e Republikës së Kosovës i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjendjen e zyrtareve/ëve publik deri më 31 mars për çdo vit kalendarik, për vitin paraprak”.

Neni 13. Par 1.1, 1.2, 1.5, 1.9, 3, 4 dhe 5- Ministria përgjegjëse për administratë publike

Në këtë nen përcaktohen përgjegjësitë e Ministrisë për Administratë Publike.

“1.1. harton, propozon, koordinon dhe mbikëqyr zbatimin e politikave për zyrtaren/in publik;

1.2. mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për zyrtaret/ët publik në institucionet e administratës shtetërore;

1.5. përgatit deklaratë të përputhshmërisë me këtë ligj, për çdo projekt akt të propozuar nga institucionet e tjera, që ka të bëjë me marrëdhënien e punës së zyrtares/it publik;

1.9. kërkon dhe merr nga institucionet e Republikës së Kosovës çdo informacion të nevojshëm në fushën e marrëdhënies së punës;

Përgjegjësitë e përcaktuara në nën-paragrafët 1.1. dhe 1.9. të këtij neni, për aq sa kanë të bëjnë me nëpunësen/i në shërbimit publik, kryhen në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për politikat shtetërore për shërbimin përkatës publik.

Çdo institucion që merr në punë zyrtare/ë publik, si dhe çdo funksionare/ë publik dhe zyrtare/ë publik, që ka kompetenca menaxheriale vendimmarrëse, ose që ka informacion në këtë fushë, bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për administratë publike.

Ministria përgjegjëse për administratë publike është i vetmi institucion i administratës shtetërore që ka kompetencë për të ofruar shpjegime lidhur me përcaktimet e këtij ligji”.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se aktgjykimi sqaron që leximi i përbashkët i neneve 12, 13 dhe 104 të Ligjit të kontestuar, përmes të cilave Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës esencialisht zhvishet nga funksionet kushtetuese, e të cilat përvetësohen nga Qeveria, rezulton në kundërshtim me nenet 4 dhe 101 të Kushtetutës, respektivisht.

Neni 27. Par 3 dhe 6- E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës

Në këtë nen janë përcaktuar të drejtat e zyrtarëve publik në marrëdhënien e punës dhe çështja e mjetit juridik.

“3.Nëpunësja/i civil ka të drejtë të paraqes ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës për çdo veprim apo mosveprim, që i cenon të drejtat apo interesat e ligjshme, të drejta këto që burojnë nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil, në rastet e parapara sipas këtij ligji.

Nëpunësja/i e shërbimit publik dhe nëpunësja/i teknik dhe mbështetës ka të drejtë të paraqesin ankesë në Inspektoratin e Punës. Pas shterimit të së drejtës së ankimimit në Inspektoratin e Punës, mund të iniciohet kontest pune në gjykatën kompetente, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”.

Neni 88. Par 3 dhe 4- E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik

Në këtë nen të Ligjit për Zyrtarët Publik përcaktohet e drejta e nëpunësit të shërbimit publik për ankesë në rastin kur pretendon se i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Këto dy paragrafë të këtij neni janë shfuqizuar nga Kushtetuesja.

“3.Shqyrtimi i ankesave është në kompetencë të Inspektoratit të Punës.

Pas shterimit të drejtës së ankimimit në Inspektoratin e Punës, nëpunësja/i mund të iniciojë kontest pune në gjykatën kompetente, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”.

Në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese ndër të tjera për këtë çështje është thënë se: “aktgjykimi thekson që një përcaktim i tillë ligjor është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës dhe vet Ligjin për Inspektoratin e Punës, i cili nuk i përcakton të njëjtit kompetencën për të zgjidhur konteste nga marrëdhënia e punës dhe për më tepër, me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të përcaktuar në nenin 4 të Kushtetutës”.

Neni 67. par 6- Lista e pritjes

Në këtë nen të Ligjit është përcaktuar çështja e vendosjes në listën e pritjes së nëpunësve civil që pas shuarjes apo ristrukturimit të institucionit nuk janë transferuar sipas nenit 66 apo rasteve të parapara me ligj.

Nga gjashtë paragrafë s ai ka ky nen, është shfuqizuar vetëm një paragraf dhe atë vetëm paragraf gjashtë ku përcaktohet çështja e nxjerrjes së aktit nënligjor nga Qeveria.

“6. Të drejtat dhe detyrimet e nëpunëseve/ve civil në pritje, duke përfshirë pagat dhe trajnimin e tyre, përcaktohen nga Qeveria me akt nënligjor pas propozimit të ministrisë përgjegjëse për administratën publike në konsultim me Ministrinë përgjegjëse për Financa”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese në njoftimin e publikuar ka thënë se: “Paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”.

Neni 99. par 1-7- Dispozitat kalimtare

Nga 21 paragrafë të këtij neni, Kushtetuesja ka shfuqizuar 7 paragrafë, dhe atë paragrafin 1 deri në 7.

“1. Nëpunësja/i civil në marrëdhënie pune në shërbimin civil, në pajtim me Ligjin Nr. 06/L114 për Zyrtarët Publik dhe që mban një pozitë ekuivalente me pozitat e nëpunëseve/ve civil sa i përket funksioneve dhe përgjegjësive, konsiderohet nëpunëse/ës civil sipas nenit 2, paragrafi 3. të këtij ligji, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Më së voni një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për të gjitha pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të shpallet procedura e rekrutimit sipas radhës së planifikuar përmes konkursit të hapur dhe publik, përjashtimisht për pozitat të cilat kanë qenë të lira dhe janë plotësuar gjatë fazës transitore të rekrutimit sipas nenit 98 të këtij ligji.
Në procedurën e shpallur të rekrutimit sipas paragrafit 2. të këtij neni, gëzon të drejtën e konkurrimit edhe zyrtarja/i publik që ka qenë e/i emëruar në atë pozitë deri në momentin e shpalljes së procedurës së rekrutimit për pozitën në fjalë.

Nëse zyrtarja/i publik si në paragrafin 3. të këtij neni, pas përfundimit të procedurës së rekrutimit nuk shpallet fitues për emërim në pozitën përkatëse apo nuk ka konkurruar fare, ajo/ai do të sistemohet në kategorinë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë.

Zyrtarja/i publik si në paragrafin 4. të këtij neni, do të përfitojë kompensim që është i barabartë me diferencën ndërmjet pagës bazë të pozitës drejtuese që ka ushtruar dhe pagës së kategorisë profesionale ku sistemohet, në:

100% të diferencës në pagë, gjatë vitit të parë pas sistemimit në kategorinë profesionale;

75 % të diferencës në pagë, gjatë vitit të dytë pas sistemimit në kategorinë profesionale; 64 5.3. 50% të diferencës në pagë, gjatë vitit të tretë pas sistemimit në kategorinë profesionale;

25 % të diferencës në pagë, gjatë vitit të katërt pas sistemimit në kategorinë profesionale.

Deri në emërimin në një pozitë të kategorisë profesionale, sipas paragrafit 5. të këtij neni, nëpunësja/i civil vendoset në listën e pritjes dhe gëzon të drejtat ashtu siç përcaktohet në nenin 67 të këtij ligji. Refuzimi për t’u emëruar në pozitën e kategorisë profesionale, përbën shkak për lirimin e nëpunëses/it nga shërbimi.

Të drejtat nga paragrafët 2,3,4,5 dhe 6 të këtij neni vlejnë vetëm një herë, për periudhën dhe rrethanat e përcaktuara sipas këtyre paragrafëve”.

Sipas kushtetueses aktgjykimi konstaton që neni 99 i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Neni 104 -Shfuqizimi

“2. Me hyrje në fuqi të këtij ligji shfuqizohet dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj”.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

Leave a Reply