Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane ishin vendosur 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.
Numri më i madh i sanksioneve lidhet me Serbinë (49), pasuar nga Kosova (29), Bosnje e Hercegovina (26), Maqedonia e Veriut (12), Shqipëria (8) dhe Mali i Zi (7).
Vendimet për sanksione i merr Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja, shkurt OFAC, e cila vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, shkruan Evropa e Lirë.
Bëhet fjalë për një listë individësh dhe biznesesh që SHBA-ja i sanksionon – në rastin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin ose destabilizimin rajonal.
Po ashtu, në mesin e të sanksionuarve në Ballkan ka edhe persona dhe subjekte që lidhen me aktivitete terroriste ose me ndikimin ketë Rusisë.
SHBA-ja vendosi sanksione për Ballkanin Perëndimor midis viteve 2001 dhe 2004, për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të vendeve dhe cenimit të paqes pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999.
Sanksionet u rikthyen në vëmendje një dekadë më vonë, kur nisën të vendoseshin për shkak të korrupsionit, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, si dhe cenimit të paqes dhe stabilitetit.
Që nga viti 2022, në mesin e të sanksionuarve janë edhe persona dhe subjekte që mbajnë lidhje me Rusinë, e cila është izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Vendimi për zgjatjen e vlefshmërisë së mekanizmit ligjor që u mundëson SHBA-së vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor — “masat e gjendjes së jashtëzakonshme” — u zgjat zyrtarisht më 22 qershor 2026 edhe për një vit.
Kur bëhet fjalë për gjashtë shtetet e Ballkanit, në listë janë 71 subjekte dhe 60 individë, ndërsa subjektet e sanksionuara juridike janë kryesisht të lidhura me individë të sanksionuar.
Sanksionet e targetuara mund të përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe kufizime financiare, deri te kufizimet tregtare dhe ngrirja e pasurisë.
Qëllimi është izolimi i individëve ose subjekteve juridike, në mënyrë që t’u kufizohet qasja në burime politike ose ekonomike.
Programi i sanksioneve të OFAC-ut
OFAC-u ka më shumë se 30 programe aktive sanksionesh, të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për 71 subjektet e evidentuara në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sanksionet janë vendosur në bazë të 11 programeve:
Programi BALKANS — ka të bëjë me masa të targetuara kundër individëve dhe subjekteve juridike që cenojnë paqen, stabilitetin, proceset demokratike dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Programi kryesisht ka të bëjë me:
Ata që në mënyrë aktive minojnë, pengojnë ose shkelin marrëveshjet kryesore rajonale të paqes dhe të pasluftës:
Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit në Bosnjë e Hercegovinë;
Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën;
Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut;
Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut;
Korrupsionin e nivelit të lartë dhe minimin e sundimit të ligjit.
Destabilizimin dhe cenimin e sigurisë.
Shmangien dhe anashkalimin e sanksioneve.
Programi BALKANS-EO14033 — bllokimi i pasurisë së personave dhe subjekteve që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Programi synon individët dhe subjektet që:
Pengojnë marrëveshjet e paqes: Bllokojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, Marrëveshjes së Prespës ose Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Marrin pjesë në korrupsion: Përvetësojnë fonde publike, uzurpojnë pronë private ose japin dhe marrin ryshfet.
Cenojnë demokracinë: Minojnë proceset dhe institucionet demokratike në rajon.
Shkelin të drejtat e njeriut: Janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.
Programi SDGT (Specially Designated Global Terrorist / Terrorist Global i Përcaktuar Posaçërisht) — program i sanksioneve financiare i vendosur me vendim të ish-presidentit George W. Bush pas sulmeve në Nju-Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001, me qëllim goditjen e rrjeteve të financimit të terrorizmit në nivel global.
Programi TCO (Transnational Criminal Organization / Organizatë Kriminale Transnacionale) — sanksione që vendosen për të mbrojtur sistemin financiar ndërkombëtar nga ndikimi i rrjeteve kriminale që merren me trafikim njerëzish, kontrabandë droge, pastrim parash dhe krim kibernetik.
Programi SDNKT (Foreign Narcotics Kingpin Designation Act / Akti për Përcaktimin e Bosëve të Huaj të Narkotikëve) — bllokimi i qasjes së karteleve ndërkombëtare të narkotikëve, bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të lidhura me ta në sistemin financiar ndërkombëtar të SHBA-së.
Kompanitë globale dhe institucionet financiare e përdorin këtë program për të verifikuar klientët e tyre, në mënyrë që të shmangin bashkëpunimin me persona të sanksionuar.
Programi CYBER2 — kundër individëve dhe organizatave që marrin pjesë në aktivitete të rëndësishme keqdashëse kibernetike, siç janë:
Sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.
Vjedhja e identitetit dhe e të dhënave financiare.
Ndërhyrja në proceset zgjedhore të shteteve të huaja.
Përhapja e softuerëve të dëmshëm (ransomware, malware).
Programi CYBER4 — përcaktimi i individëve dhe subjekteve që merren me aktivitete të rëndësishme keqdashëse në hapësirën kibernetike.
Kryesisht përdoret për përcaktimin e personave, rrjeteve dhe operatorëve të ransomware-it, shpesh të lidhur me sindikata të krimit kibernetik ose me ofrues të “hostimit të paprekshëm” në juridiksione si Rusia, operacionet e të cilëve dëmtojnë infrastrukturën kritike të SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Programi RUSSIA-EO14024 — sanksione të lidhura me aktivitetet e dëmshme të Qeverisë së Federatës Ruse.
Programi ka të bëjë me:
Ngrirjen e pasurisë së një rrethi të gjerë individësh dhe subjektesh juridike, për të cilët SHBA-ja vlerëson se mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi aktivitetet e dëmshme të Federatës Ruse.
Sektorin financiar dhe bankar — përfshin të gjithë infrastrukturën financiare të Rusisë dhe të gjitha bankat e huaja që bashkëpunojnë me të.
Kompleksin ushtarako-industrial dhe teknologjitë, me qëllim ndërprerjen e furnizimit të ushtrisë ruse.
Sektorët kryesorë ekonomikë të Rusisë, si sektori energjetik, pasi ky sektor përbën burimin kryesor të të ardhurave për buxhetin shtetëror rus.
Programi UKRAINE-EO13662 — u vendos si përgjigje ndaj aneksimit rus të Krimesë më 2014 dhe destabilizimit të situatës në Ukrainë. Ai synon sektorët kyç të ekonomisë ruse, si energjetika dhe financat, dhe ka të bëjë me subjekte të lidhura me korporata mëmë ruse të sanksionuara.
Programi GLOMAG (Global Magnitsky sanctions / Sanksionet Globale Magnitsky) — bazohet në ligjin Global Magnitsky Human Rights Accountability Act të vitit 2016.
Ky program i mundëson Qeverisë së SHBA-së të ngrijë pasurinë dhe të ndalojë transaksionet e personave të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe korrupsion, kudo në botë.
Programi targeton zyrtarë të huaj dhe persona privatë të përfshirë në vrasje, torturë, zhvatje, pastrim parash ose përvetësim të burimeve shtetërore.
Ligji për Kundërvënien ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act, CAATSA) — ligj federal amerikan i miratuar në vitin 2017, me të cilin vendosen sanksione ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut. Ai përdoret kryesisht për ndëshkimin e subjekteve dhe qeverive të huaja që kryejnë transaksione të rëndësishme me sektorin rus të mbrojtjes dhe të inteligjencës.
Mbi çfarë baze janë sanksionuar në Ballkanin Perëndimor?
Në listën e sanksioneve të OFAC-ut, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – ndodhen 71 subjekte juridike.
Ato janë pjesë e 11 programeve të sanksioneve.
Ato janë sanksionuar mbi bazën e:
Pasurisë së individëve në Listën e Personave të Përcaktuar Posaçërisht dhe të Bllokuar (Specially Designated Nationals and Blocked Persons List, SDN): Janë bllokuar e gjithë pasuria dhe interesat në pasuri të personave të përcaktuar, që bien nën juridiksionin e SHBA-së.
Rregullit prej 50 për qind: Nënkupton se bllokohet automatikisht çdo subjekt që është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të një apo më shumë personave të bllokuar, me 50 për qind ose më shumë të pronësisë.
Transaksioneve të ndaluara: Personave nga SHBA-ja dhe të gjithë atyre që kryejnë transaksione brenda ose përmes Shteteve të Bashkuara u ndalohet bashkëpunimi me subjektet e sanksionuara. Kjo vlen për të gjitha subjektet juridike dhe fizike amerikane, degët e tyre jashtë vendit, shtetasit e huaj me qëndrim në SHBA, si dhe për çdo transaksion që përdor sistemin financiar amerikan, përfshirë pagesat në dollarë amerikanë.
Rrezikut nga sanksionet dytësore: Institucionet financiare dhe kompanitë jashtë SHBA-së që kryejnë transaksione të rëndësishme me palë të sanksionuara rrezikojnë të përballen me sanksione dytësore ose me masa për zbatimin e ligjit amerikan.
Lista e subjekteve të sanksionuara sipas shteteve të Ballkanit Perëndimor
Subjektet nga lista nuk hiqen asnjëherë automatikisht vetëm pse kanë pushuar së ekzistuari ose janë likuiduar.
Siç përcakton OFAC-u, që një organizatë të hiqet nga lista e sanksioneve, nevojitet një kërkesë formale ligjore — peticion — në të cilën dëshmohet “ndryshimi i rrethanave” ose ndërprerja e veprimtarisë kontestuese.
Për këtë arsye, në listën e të sanksionuarve vazhdojnë të jenë edhe subjektet e shuara, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë.
Kosova
Në listën e zezë të OFAC-ut nga Kosova gjenden 14 entitete:
- FERMA IZVORI B.I.
Lokacioni: Izvore
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Kultivimi i frutave arrore dhe bërthamore.
Pronarin Sinisha Nedeljkoviq, OFAC-u e ka identifikuar si pjesë të një grupi të organizuar kriminal transnacional dhe e ka vendosur në listën e individëve të sanksionuar. Kompanitë dhe rrjetet e tij lidhen me korrupsion dhe tregti të paligjshme, përfshirë kontrabandën mes Kosovës dhe Serbisë. Ai është i lidhur me Zvonko Veselinoviqin.
Zvonko Veselinoviq në publik njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner biznesi i Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
*OFAC-u e ka identifikuar Zvonko Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si një nga figurat më famëkeqe korruptive në veri të Kosovës.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- P.P. SHTËPIA TREGTARE METAL B.I.
Lokacioni: Zveçan
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Tregti me shumicë e makinerive dhe pajisjeve të tjera.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Sinisha Nedeljkoviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- SHTËPIA TREGTARE METAL SH.P.K.
Lokacioni: Zveçan
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Tregti me mallra të konsumit të gjerë për ndërtimtari dhe amvisëri.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Sinisha Nedeljkoviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- SINISHA NEDELKOVIQ B.I., P.T.P. METAL
Lokacioni: Zveçan
Veprimtaria: Tregti dhe tregti me shumicë e pajisjeve.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Sinisha Nedeljkoviq.
- SINISHA NEDELKOVIQ I.B.
Lokacioni: Zveçan
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Tregti me shumicë e makinerive dhe pajisjeve.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Siniša Nedeljkoviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- FERARI, NDËRMARRJE PËR SHËRBIME DHE TREGTI ME AUTOMJETE TË PËRDORURA, SH.A.
Lokacioni: Mitrovica
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Blerje, shitje dhe ndërmjetësim në tregtinë e automjeteve të përdorura dhe të reja.
Kompania është e lidhur me Zvonko Veselinoviqin. OFAC-u e ka identifikuar Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, grupi i tij është i përfshirë në skema të ryshfetit në shkallë të gjerë dhe në trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- PRIZMA B.I.
Lokacioni: Mitrovica
Program: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Ndërtimi i objekteve të tjera të infrastrukturës.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), kompania është kaluar zyrtarisht në status pasiv më 9 qershor 2022, vetëm disa muaj pas vendosjes së sanksioneve amerikane.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Zvonko Veselinoviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- ZHARKO VESELINOVIQ B.I., S.T.R. KRISTAL
Lokacioni: Mitrovicë e Veriut
Program: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Formësimi dhe përpunimi i xhamit të rrafshët.
Sipas bazës së të dhënave të ARBK-së, kompania është zyrtarisht në status pasiv që nga 9 qershori 2022. Ndryshimi i statusit në pasiv ndodhi rreth gjashtë muaj pasi OFAC-u vendosi sanksione ndaj pronarit dhe vetë kompanisë.
OFAC-i e ka identifikuar Zharko Veselinoviqin si një nga udhëheqësit e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit, vëllait të tij, i cili është thellësisht i përfshirë në tregti të paligjshme dhe kontrabandë.
SHBA-ja, në raportin e saj, ndër të tjera, përmend një aktakuzë në bazën e të dhënave të Kosovës, e cila i lidh anëtarët e këtij grupi me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq më 2018. Ivanoviq u vra me gjashtë plumba pas shpine, para zyrave të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- RAD D.O.O.
Lokacioni: Zveçan
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Ndërtimtari, ndërtim i objekteve të larta dhe i objekteve infrastrukturore.
Pronari i kompanisë, Radulle Steviq, dhe vetë kompania kanë bashkëpunuar me politikanë dhe pushtetarë lokalë për të siguruar monopol në projektet ndërtimore në veri të Kosovës përmes prokurimeve publike të manipuluara. OFAC-u e ka identifikuar kompaninë si pjesë kyçe të grupit të organizuar kriminal të të sanksionuarit Zvonko Veselinoviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 202
- RADULE STEVIC B.I., P.T.P. RAD
Lokacioni: Zveçan
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Ndërtimtari.
Pavarësisht sanksioneve amerikane, kompania, përmes degës së regjistruar në Serbi, vazhdoi të lidhte kontrata për punë infrastrukturore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Kompania është e lidhur me të sanksionuarin Radule Steviq.
Data e vendosjes së sanksioneve: 8 dhjetor 2021.
- RADOVAN RADIC B.I., P.P. EU RR GRADNJA
Lokacioni: Zupç
Programi: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Građevinarstvo
OFAC e ka identifikuar pronarin e kompanisë, Radovan Radiq, si anëtar të një grupi të organizuar kriminal dhe transnacional, në krye të të cilit është Zvonko Veselinoviqi.
Data e sanksionimit: 8 dhjetor 2021.
- P.P. BABUDOVAC B.I.
Lokacioni: Jasenovik
Program: GLOMAG (Global Magnitsky)
Veprimtaria: Shitje me shumicë e ushqimit, pijeve dhe duhanit.
OFAC e ka identifikuar kompaninë si në pronësi ose nën kontrollin e Milan Radisavleviqit, i cili është përcaktuar si anëtar i një grupi të organizuar kriminal dhe transnacional, i drejtuar nga Zvonko Veselinoviqi në veri të Kosovës.
Data e sanksionimit: 8 dhjetor 2021.
- N.P.T.T. DONA-SHELL
Lokacioni: Pejë
Programi: SDNTK (Značajni trgovci narkoticima)
Veprimtaria: Transport dhe logjistikë.
Lidhje me organizatën kriminale të sanksionuar të Naser Kelmendit. Përmes llogarive bankare dhe transaksioneve të kësaj kompanie janë financuar operacionet e familjes Kelmendi. Kompania është e lidhur drejtpërdrejt me Besnik Kelmendin (djalin e Naser Kelmendit), i cili është cilësuar si një nga operativët kryesorë në rrjet dhe ka qenë subjekt i hetimeve të gjera ndërkombëtare financiare dhe policore për dyshime se ka shërbyer si mbulesë për pastrim parash të fituara nga aktivitete kriminale.
Data e sanksionimit: 24 mars 2015.
- RINGJALLJA E SHOQATËS SË TRASHËGIMISË ISLAME, dega në Kosovë
Statusi: E mbyllur dhe e sanksionuar.
Lokacioni: Prishtinë
*Organizata kishte degë në Bosnje e Hercegovinë dhe në Shqipëri.
Programi: Specially Designated Global Terrorist (SDGT) / Terrorist global i veçuar posaçërisht.
Veprimtaria: Organizatë humanitare.
Data e sanksionimit: 13 qershor 2008.
Sa efektive janë sanksionet?
Sanksionet janë instrument kyç i politikës së jashtme kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por ndikimi i tyre varet nga sa efektivisht zbatohen.
Përveç OFAC-it, që është institucion brenda Departamentit të Thesarit, vendimin për vendosjen e sanksioneve mund ta marrë edhe Departamenti i Shtetit.
Përveç SHBA-së, në nivel ndërkombëtar, sanksioneve si masë e politikës së jashtme u drejtohen edhe Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Lituania dhe Polonia, si dhe organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Kështu, nga viti 2017 deri më 2025, organet ndërkombëtare që vendosin sanksione kanë përfshirë në lista më shumë se 150 individë dhe biznese nga Ballkani Perëndimor, nën dyshimet për krim të organizuar dhe destabilizim rajonal.
Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional thotë për Radion Evropa e Lirë se harmonizimi i sanksioneve ndërkombëtare nuk është i plotë:
“SHBA-ja është aktori më aktiv në Ballkanin Perëndimor – ajo ka vendosur mbi 80 për qind të sanksioneve – dhe shpesh është e para që vendos sanksione, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ndonjëherë ndjek një logjikë të ngjashme, por jo gjithmonë me të njëjtin ritëm dhe jo ndaj të njëjtit rreth njerëzish e kompanish. Kjo tregon se ka mbivendosje politike, sidomos mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, por jo edhe harmonizim automatik të listave”.
Të sanksionuarit shpesh përdorin taktika të ndryshme për t’iu shmangur sanksioneve, thekson Gjorgjeviq. Si format më të shpeshta, ai përmend shmangien ekonomike dhe mbrojtjen politike.
“Shmangia ekonomike më së shpeshti shfaqet përmes pronësisë dhe parave: kompanitë kalohen në emër të familjarëve ose bashkëpunëtorëve të besuar, hapen kompani të reja, të vjetrat riemërtohen, ndërsa veprimtaria zhvendoset në vende ku kontrolli financiar është më i dobët. Mbrojtja politike funksionon ndryshe: sanksionet paraqiten si sulm politik ose si ndërhyrje e huaj në politikën e brendshme të vendit, ndërmerren procedura gjyqësore dhe fushata lobimi. Me fjalë të tjera, shmangia ekonomike ruan paratë dhe bizneset, ndërsa mbrojtja politike ruan pushtetin dhe reputacionin”.
Si rekomandim për forcimin e sanksioneve dhe rritjen e efektivitetit të tyre, Gjorgjeviq thekson se ato duhet të jenë pjesë e një sistemi më të gjerë llogaridhënieje:
“Kjo nënkupton arsyetim më të qartë të sanksioneve, koordinim më të mirë mes SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, zbatim më të qëndrueshëm të masave financiare, monitorim të diskursit publik, verifikim të pronësisë faktike dhe të prokurimeve publike, si dhe mbështetje për gazetarinë hulumtuese. Po ashtu, pa hetime vendore nga policia dhe prokuroria, sanksionet mbeten sinjal i rëndësishëm, por instrument i kufizuar”.















































