Këtë vit, Equal Pension Day në Austri shënohet më 9 gusht. Kjo datë simbolizon momentin kur burrat, statistikisht, kanë marrë tashmë aq pension sa gratë do të marrin deri në fund të vitit.
Dallimi mes pensioneve të grave dhe burrave në Austri vazhdon të mbetet i madh. Gratë marrin mesatarisht 1,614 euro pension bruto në muaj, ndërsa burrat rreth 2,664 euro, që nënkupton një diferencë prej 39.4 për qind.
Këtë vit, Equal Pension Day në Austri shënohet më 9 gusht. Kjo datë simbolizon momentin kur burrat, statistikisht, kanë marrë tashmë aq pension sa gratë do të marrin deri në fund të vitit.
Me fjalë të tjera, hendeku aktual prej 39.4 për qind përkthehet në rreth 144 ditë pension më pak për gratë gjatë një viti, transmeton albinfo.ch.
Sipas të dhënave të sigurimeve pensionale, pensioni mesatar bruto i grave është 1,614 euro, krahasuar me 2,664 euro për burrat. Megjithatë, dallimi është ngushtuar lehtë krahasuar me një vit më parë, kur hendeku ishte 39.7 për qind.
Dallime të mëdha mes rajoneve
Situata ndryshon ndjeshëm në varësi të rajonit të Austrisë.
Vjena ka hendekun më të vogël të pensioneve mes grave dhe burrave, ndërsa Equal Pension Day atje shënohet më 21 shtator. Në anën tjetër, në disa rajone të Austrisë kjo datë ka kaluar shumë më herët gjatë verës.
Ndër dallimet më të mëdha raportohet ai në Vorarlberg, ku hendeku i pensioneve arrin në rreth 46.4 për qind. Në Oberösterreich, gratë marrin mesatarisht rreth 44.8 për qind më pak pension se burrat.
Puna me orar të pjesshëm ndër faktorët kryesorë
Ekspertët dhe organizatat e punëtorëve theksojnë se dallimi në pensione nuk krijohet vetëm në momentin e pensionimit, por zhvillohet gjatë gjithë jetës profesionale.
Ndër faktorët kryesorë përmenden pagat më të ulëta të grave, puna më e shpeshtë me orar të pjesshëm, ndërprerjet e karrierës për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve dhe familjes, si dhe ndarja e pabarabartë e punës së papaguar.
Pikërisht për këtë arsye kërkohet përmirësimi i kushteve të punës, paga më të barabarta dhe mundësi më të mira për kombinimin e jetës profesionale me kujdesin ndaj familjes.
Equal Pension Day është iniciuar në Austri në vitin 2015. Atëherë hendeku mes pensioneve të grave dhe burrave ishte 43.3 për qind, ndërsa në vitin 2026 ka rënë në 39.4 për qind.















































