Në mënyrë solemne priten studentët e rinj në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

0
82

Në mënyrë solemne sot janë pritur studentët e rinj në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Në kuadër të Javës së Mirëseardhjes, organizuar nga Qendra e Karrierës, ata u njohën me mundësitë e shumta për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional, thuhet në njoftimin e UPZ-së.

“Aktiviteti u hap me një fjalim mirëseardhjeje nga Rektori i Universitetit, Prof. Mentor Alishani, i cili përshëndeti studentët e rinj dhe i inkurajoi ata që të përfitojnë sa më shumë nga ky udhëtim akademik. Ai vuri në dukje se universiteti është një ambient i pasur me mundësi për rritje personale dhe profesionale, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve.

Në vazhdim, prorektorja Prof. Adelina Rakaj prezantoi Kodin e Etikës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tij në krijimin e një ambienti akademik dhe profesional. Kodi i Etikës, përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm që ndihmon studentët të përballen me sfidat e tyre akademike dhe të ndërtojnë një karrierë të suksesshme.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Nënkryetarja e Parlamentit Studentor, Bleona Buduri, e cila theksoi rolin kyç të këtij organi në përfaqësimin e zërit të studentëve dhe në përmirësimin e kushteve akademike e sociale.

Në fund, z. Nehat Gashi, udhëheqës i Qendrës për Karrierë dhe Alumni, foli për rolin e rëndësishëm të kësaj Qendre në mbështetjen e studentëve për zhvillimin e aftësive të tyre profesionale dhe krijimin e mundësive për praktikë dhe punësim. Ai prezantoi shërbimet dhe mundësitë që qendra ofron për të gjithë studentët e universitetit.

Eventi përfundoi me ftesën për studentët që të vazhdojnë të angazhohen në aktivitete të tjera që janë pjesë e Javës së Mirëseardhjes dhe të eksplorojnë më tej njësitë e tyre akademike, duke krijuar lidhje të reja dhe përvoja të paharrueshme”, thuhet në njoftim./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here