Në kërkim të zgjedhjes së çështjes shqiptare edhe përmes mendimit të trazuar poetik!

0
1034

Pas botimit të vëllimit poetik “Shekulli i pafund” në Prishtinë të autorit Safet Sadiku, dhe pas vlerësimeve të shumta nga lexuesit tanë.

I gjithë aktivitei politik dhe krijimtaria artitistike përshkruhet me kërkesën për shqyrtim, duke u shtruar për zgjedhje në procesin politik, të aktualitetit tonë, në të ardhmen e afërt duke mos e pranuar faktin e ndarjes së shqiptarëve, në shtete e në krahina, siç na kanë ndarë të tjerët. Logjika e fortë shkencore përmes metaforës poetike kumbon fuqishëm pa ju nënshtruar askujt, pra asnjë okupatori të brendshëm dhe atij të jashtëm. Me këtë rast po shkëpusim një pjesë të biografisë së këtij autori dhe disa vargje poetike, marrë në “Shekulli i pafund”, i cili edhe sot si parim kryesor i tij është integrimi institucional i brendshëm i shqiptarëve në gjithë hapsiarat shqiptare.  

Shkruan: Frederik Ruço

Gjuha poeike edhe për integrime të brendshme të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik

Në vëllimin poetik “Shekulli i pafund” të Safet Sadikut, janë të shumta poezitë, të cilat të bëjnë për vete, dhe të frymëzojnë qartësisht për rrugën  integrimeve të brendshme institucionale shqiptaro-shqiptare. Ndoshta po të lexoja me një anë, se sa poezi janë për tema specifike të zakonshme sigurisht se numri do të dilte i vogël. Pra dua të them se e gjithë tematika artistike sillet rreth dhimbjes së madhe kombëtare, të cilën autori e shpreh shumë qartë dhe shumë bukur, dhe poashtu si parim ka dhënë edhe mesazh të qartë për të ardhmen se nga duhet të shkojnë shqiptarët dhe si duhet të bëhet zgjedhja e çështjes shqiptare. 

Mënyrën e trajtimit të çështjes shqiptare në proceset politike z. Safet Sadiku nuk e shikon si një temë e ndarë në mes shqiptarëve, pra edhe në gjuhën poetike. Përkundrazi kjo temë gjithmonë trajtohet si një trung i pa ndarë, pavarësisht problemit administrativ të shqiptarëve në hapsirën e Gadishullit Ilirik.

Librin e fillon me poezitë: “Okupatori ka mision”,   “Shekulli i pafund (1)…12, “Cenzura”…13, “Mallkim për vrasësit e Jusuf Gërvallës”…15, “Heroit Jusuf Gërvalla”…16, “Pikëllim i sinqertë”…19, “Shqiptari nuk vdes kurrë”…20,  “Shpirtërisht”…23, “Bashkohuni”…24, “Kallu tokë, çliro këtë popull”…25, “Thirrja e plagës sime”…28, “Krijuesi nuk mposhtet”…37, “Në mes vdekjes dhe krenarisë”…56, “Atdheu”…70,”Kush është Perëndia”…111, “Qeveri pa liri”…115, “Telefonata e nënës”…120 etj.,etj. 

Nuk ka rëndësi se sa kohë qëndron jashtë vendlinjes dhe cilat janë arsyet e kësaj situate. Por autorin e këtij vëllimi poetik z. Safet Sadiku gjendja në atdhe e shqetëson në mënyrë të vazhdueshme. Këtë gjendje emocionale dhe poltitike autori e shpreh edhe te poezia: “Atdheu” f…70.

“O atdhu ynë shqiptar

Pa ty s’mund të jetoj-vallë

Edhe pse n’detin Baltik kam ardhë

Në mërgim të gjithë kemi një mall

Për të dëgjuar zërin kombëtar

Vëllezër një nga një si gur,

Të qëndrojë secili çdoherë burrë

Për të ndërtuar shtetin si mur

Të përqafuar në një flamur

Vetëm kështu s’mposhtemi kurrë”

Thirrja për qëndresë dhe për ndërgjegjësim, dhe thirrja për ndërtimin e së ardhmes përmes forcimit të shtetit vazhdon si atëherë (para tridhjetëvjetësh), por edhe sot, e njejta gjë mbetët aktuale. Po njejtë në këtë histori të një procesi politik ende i pambaruar për shqiptarët mesazhi poetik i Safet Sadikut është i qartë dhe konkret:

Ti, shqiptari, i madhi komb

Historia të njeh si shkëmb

Nënën Shqipëri ktheje në zonjë

Përgjithmonë t’na jetojë

Populli i tëri lirinë të gëzojë

Flamuri le të valojë

Truallin e shqipes të organizojë 

Të gjithë kufijtë t’i rregullojë

Nga çdo pushtues t’i çlirojë… 

Në dy vargjet e fundit autori shprehet pa ngurrim:”Të gjithë kufijtë t’i rregullojë” për të vazhduar me vargun pasues te pjesa e plagës, e cila edhe sot është e hapur:” Nga çdo pueshtues t’i çlirojë…” Kjo vetëdije është direkte dhe thirrja nënkupton më shumë se sa vendimi për t’u ulur dhe për t’i biseduar të gjitha këto probleme të kufijëve sepse  ato duhet të zgjidhen njëherë e mirë. Por kujt i drejtohet për këtë zgjedhje? Që në vrgun e parë të kësaj strofe ai qartëson se kujt i drejtohet: “Ti, shqiptari, i madhi komb”, duke ja kujtuar lavdinë historike: “Historia të njeh si shkëmb“, për ta finalizuar tërë këtë qëllim shkencor si një zgjedhje përfundimtare me vargun e konfirmuar: “Nënën Shqipëri ktheje në zonjë”. Pra, çfarë nënkupton se vetëm zgjedhja përfundimtare Shqiprinë tonë e kthenë në zonjë. Ndonëse, kjo metaforë për të gjithë ne nuk është e panjohur. Të tilla vargje janë normale, sepse autori konfirmon se e tërë veprimtaria që nga mosha e re lidhet me ngjarje dhe me qëndrim të qartë kombëtar dhe çështjen shqiptare nuk e shikon si të ndarë, as nga këndvështrimi i okupatorit, por si një çështje mbarëshqiptare ndër më komplekset nga se e tillë është dhe si të tillë duhet të dimë të shtrojmë rrugën për zgjedhje në proceset e ardhshme politike.

Po kështu hasim simbolikën e fortë poetike edhe te poezia “Kush është Perendia” ku autori e ka të theksuar edhe elemtin e krahasimit, në mes gjendjes reale dhe asaj që e interpreton përmes artit të shkruar: 

“Në mëngjes njëherë u përgjigj superfuqia

Ju shqiptarë duhet të kujdeseni më shumë

Se, pesë-gjashtë qeveri po aq Perëndi,

Janë të pakuptueshme për një Shqipëri”

Sa fjalë kuptimplote; “se edhe pesë-gjashtë qeveri dhe as pesë-gjashtë Perëndi janë të pakuptueshme për një Shqipëri”. Pse e konfirmon këtë logjikë autori me këtë mendim filozofik aq të zhdërvjelltë si koncept faktik në njërën anë, dhe po aq edhe realitet historik në anën tjetër. Ndryshimi kërkohet, ndonës nuk ka qetësi ende sepse lëkundjet po ndodhin:  

Për të tërë këta shqiptarë n`çdo hapsirë

Kush është Perëndia

Perëndi është qeveria

Apo Perëndi është superfuqia

Ndoshta është e vërteta Perëndia

Ndoshta është e ndara Shqipëria

Gjithë bota kanë një besim,

Një Perëndi, dhe punojnë, jetojnë 

Për një të vetmen, për të çmuarën liri

Ashtu siç kanë vetëm një qeveri

Dhe janë të futura në një bashkësi

Dhe i takojnë ndonjëres superfuqi…

Këto vargje mund të lexohen kuptueshëm, mund të këndohen dhe mund të zbërthehen

edhe si logjikë, por edhe si shprehje artistike. Apeli për kthimin e besimit të vërtetë, i cili është një dhe i vetëm nuk mbahet më i fshehur. Ndonëse poezia është shkruar para luftës së Kosovës, kjo kërkesë e besimit në shqiptari, mbetët edhe sot aktuale.  Por në kë aludon autori kur i gjithë ky besim, e gjithë kjo trashigëmi; “janë të futura në një bashkësi”. Sigurisht popujt dhe kombet e përparuara që kanë ditur ta respektojnë dhe ndërtojnë lirinë, pra edhe jetën dinë ta jetojnë;”Për një të vetmen, për të çmuarën liri“, dhe janë pjesë e sigurisë kombëtare e shprehur përmes shprehjes artistike; “Dhe i takojnë ndonjëres superfuqi…”

Logjika e njejtë e trajtimit vazhdon sikur kur gjurmon mendimin dhe deri sa të flenë në qetësinë e thellë shpirtërore të njeriut shqiptar të ndarë e të katandisur. Ja krasimi i tillë i shprehur në vargje;

“Po ne shqiptarët ende edhe sot

Si duket jemi më të zgjuarit

për këtë edhe bota na ka harruar

Na harroi e vërteta Perëndia

çdo kërkesë tonën na ktheu me t`këqija

Na harroi edhe njëra shpresë –superfuqia

Vetëm pse ne shqiptarët kemi shumë qeveri

Dhe secila qeveri e mban vetën për Perëndi

Eu Perëndi?-këndon secila prej tyre për liri

Në qoftëse këtë logjike artistike autori e nxjerrë duke e analizuar nga realiteti shqiptaro-shqiptar, dhe ne edhe sot e zbërthejmë në realitetin e politikave të ditës çfarë aktualisht ne shqiptarëve edhe më së shumti na mundon. Dhe nëse shikojmë  edhe institualisht se kush na përfaqëson dhe si përfaqësohemi?, atëherë logjika e vargjeve del shumë e goditur dhe shumë e qartë, e pastër, dhe mirë e artikuluar. Poashtu si asnjëherë edhe në këto vargje porosia del shumë konkrete: 

Në mëngjes njëherë u përgjigj superfuqia

Ju shqiptarë duhet të kujdeseni më shumë

Se, pesë-gjashtë qeveri po aq Perëndi,

Janë të pakuptueshme për një Shqipëri”

Autori i vëllimit poetik; “Shekulli i pafund” Safet Sadiku nuk heshtë. Ai është në kërkim, vazhdon të lëviz për të ardhmen për një integrim të brendshëm institucional të të gjithë shqiptarëve në hapsirat e shqiptaro-shqiptare në Gadishullin Ilirik.

Me këtë rast po shkëpusim një pjesë së biografisë së tijë marrë nga vëllimi poetik “Shekulli i pafund”

Safet Sadiku i takon brezit të krijuesve të viteve 80-ta. Ai lindi më 1 nëntor të vitit 1964 në Zhabar të Epërm të komunës së Mitrovicës. Arsimin e detyrueshëm e kreu në vitin 1979, në shkollën tetëvjeçare “Fazli Grajçevci” të Shipolit. Safet Sadiku, pas përfundimit të tetëvjeçares regjistrohet në gjimnazin “Frang Bardhi” të Mitrovicës, në sesionin e Shkencave Natyrore. Si nxënës i dalluar i kësaj shkolle shquhet edhe me prirjet e tij të theksuara për letërsi dhe art. Me rastin e konkursit të hapur për aktorët e rinj në Mitrovicë, Safet Sadiku vlerësohet dhe merr pjesë në rolin e sekretarit të shkollës në filmin: “Shoku është shok”, me regji dhe skenar të arsimtarit të arteve të bukura Sejdi Zeka. Safet Sadiku edhe pse në shkollën e mesme kryen drejtimin, laborant i biologjisë, vendos të studioj Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Më 16 nëntor të vitit 1988 Safet Sadiku i përfundon me sukses studimet.

Dashuria e pa përshkruar për poezinë dhe prozën si dhe llojet e tjera të letërsisë bëjnë që ai të shkruajë edhe si student, në gazetat e kohës si; “Bota e re”, “Rilindja”, “Shkëndija” dhe “Pionieri” të Prishtinës. Me qëllim të shmangies së arrestimit të mundshëm që ishte bërë modë, pas grevës së njohur të minatorëve të Trepçës, (shkurt 1989) detyrohet që në korrik të vitit 1989, të migrojë në Kopër të Sllovenisë. Në pranverën e vitit 1990, me iniciativën e Safet Sadikut, në Kopër themelohet SHKA “Fan S. Noli” me organin e saj periodik revistën “Qëndresa”. Kjo shoqatë që në gjirin e vet përfshinte të gjithë shqiptarët e mërguar në Kopër dhe rrethinë, brenda një periudhe të shkurtër boton gjashtë numra të kësaj reviste. Me gjithë orvatjet dhe pengesat që i bënte regjimi serb, revista “Qëndresa” shtypet më 21 mars të vitit 1991, në shtëpinë botuese “Rilindja” të Prishtinës. Shpërndarja e saj prej 10 mijë ekzemplarësh në pikat kryesore të shitjes pengohet nga policia serbe, dhe njëkohësisht kërkohet dhe ndiqet kryeredaktori i saj Safet Sadiku. Sadiku si ithtar i parimeve dhe pikëpamjeve të mirëfillta kombëtare, pa u diktuar herëpasherë kthehej nga Sllovenia për në vendlindje. Ai më 6 maj të vitit 1991, merr pjesë në Kuvendin themelues të Partisë së Unitetit Kombëtar të Kosovës– Unikombit, e cila me gjithë telashet e shumta dhe përndjekjen e aktivistëve të saj nga ana e Serbisë, punimet i zhvillon në Prishtinë.

Më 1 shator të vitit 1991, ai vendoset në Sion të Zvicrës. Më 1 janar të vitit 1993, me ftesën e Mr. Halil Alidemaj e lëshon Suedinë dhe kthehet direkt në Shqipëri. Safet Sadiku këtu do ta kryejë detyrën e zëdhënësit të Partisë së Unitetit Kombëtar-Unikombit të Kosovës, zyra në Tiranë. Pas shumë aktiviteteve të rëndësishme organizative, kulturore dhe politike, Safet Sadiku pas 14 muajsh të qëndrimit në Shqipëri, në fillim të  prillit 1994 së bashku me familjen vendoset në Zvicër, ku jeton edhe sot, dhe ka dy djem të rritur. Në ndërkohë Lufta në Kosovë po thellohej dhe jetët e humbura të njerëzve dhe dëmet materiale dhe shkatrrimet e shumta ishin të paparashikueshme. Si familje me ushtar aktiv  pjesëmarrës në radhët e formacioneve të UçK-së, dhe mbështetës i saj me të gjitha mundësitë, hordhitë ushtarake të regjimit të Millosheviqit, tërë banorët e fshatit i dëbojnë në Prill të vitit 1999, dhe djegun shtëpitë e shumë familjeve cik-cak. Ndër këto shtëpi të djegura rezultaon edhe e familjes së Safet Sadikut, ku shtëpia digjet rrafsh me tokë, dhe fatin e keq dhe djegien totale e pësojnë edhe bibloteka e shtëpisë, bashkë me qindra shkrime të botuara dhe dorshkrimet me fotografitë të jetës studentore. (Ndërkaq plagosaja e vëllaut të tij Nuhi Sadiku ndodh në një front në mbrojtje të zonave të vendbanimeve, vetëm 48 orë, para se të futen forcat e NATO-s, ku për fat i afrohet ndihmë urgjente, pasi me helikopter dërgohet në Tiranë, dhe arrinë t’i mbijetojë plagëve).    

Ndërkaq, Safet Sadiku gjatë viteve 1997-1999, me përkushtim mjaft të madh kryen funksionin e sekretarit të shoqatës humanitare “Nënë Tereza” me seli në Lucern të Zvicrës. Angazhimi i tij në këtë shoqatë bamirëse vlerësohet nga të gjithë. Me këtë rast, duhet veçuar edhe një tjetër aktivitet senzibilizues të tij, sa politik aq humanitar, nga të shumtët e tillë, edhe të tryezës me temën: “Pse ekziston konflikti shqiptaro-serb?” mbajtur më 3 qershor të vitit 1998 në Altdorf, në mbështetje edhe nga subjektet dhe shoqatat të tjera shqiptare të kanton Urit. Këtë tryezë  të inicuar nga z. Sadiku, politikisht e mbështeti edhe Kryqi i Kuq i Zvicrës i Kanton Urit përmes udhëheqsit të tij z. Kurt Streller, duke i bërë ftesë zyrtare KMLDJ-së dhe z. Arif  Ejupi me seli në Gjenevë, për sjelljen e fotografive nga “Masakra e Drenicës” si ngjarje e një rëndësie të veçantë. Ligjëratën e mbajti z. Safet Sadiku, i cili prezantoi fakte  për faktorët: historikë, ekonomikë dhe rrethanat politike të çështjes shqiptare duke afruar shumë shembuj për të pranishmit pse duhet të njihet Pavarësia e Republikës së Kosovës. Në këtë tubim patën marrë pjesë edhe funksionarë të lartë kantonalë, të komunave të këtij kantoni, si dhe përfaqësues të shumtë të medieve të shkruara dhe vizive të Zvicrës  gjermanishtfolëse. Interesim të jashtëzakonshëm, (përveç video-filmit kushtuar helmimeve në Kosovë i realizuar nga një TV suedez), pati zgjuar ekspozita “Masakrat në Drenicë”, me sqarimin e të dhënave nga z. Arif Ejupi, anëtar i KMLDJ-së, të Kosovës. Ndërkaq, z. Sadiku me qëllim të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar karshi Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në revistën “Alternative” të kanton Urit, boton artikujt: “Der menschenverachtende krig des serbischen regimes” (Lufta çnjerëzore e regjimit serb), shkurt 1999 nr. 237, dhe “Begrenzte hilfe selbsthilfe-die ohnmacht, damit umzugehen”, (Ndihmë e kufizuar për vetëndihmë-pafuqi për t’u marrë me të), mars 1999 nr. 238.

Safet Sadiku gjatë viteve 2000-2004 punoi në industrinë e njohur “Dettwyler AG” të Altdorfit. Ai i dhënë pas shkrimeve, krahas punës, prapë gjen kohë që të punojë edhe si bashkëpunëtor i Radios “Deutsche Welle” (DW) programi në gjuhën shqipe. Kronikat e tij mbi aktivitetet e mërgimtarëve tanë në Zvicër, të shumtën e herëve transmetoheshin në emisionin:”Ura radiofonike.”

Në mënyrë që familjet shqiptare të informohen me ngjarjet më të reja, dhe ta ruajnë gjuhën e origjinës, në kuadër të radios lokale “Radio X”, Sadiku përgatit dhe redakton emisionin javor shqip-gjermanisht “Alba X”. Safet Sadikun lexuesi e njeh edhe nëpërmjet poezive dhe tregimeve të shumta. Puna e tij, si krijues dhe veprimtar në mërgim është pasqyruar me disa fjali edhe në librin “Emra që nuk Harrohen”-(Arsimtarë shqiptarë në diasporë IV), të autorëve Tahir Z. Berisha, Hamza Halabaku dhe Çerkin Bytyçi, botuar më 2006, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Poashtu z. Sadiku, është edhe redaktor i librit studioz historik kushtuar Bylysit, “Hekali në Histori” (745 faqe, botuar në Vlorë më 2015) i autorit Hajdar Sulaj. Safet Sadiku duke qenë edhe njohës i kulturës sllovene, vitin e kaluar (2021), ka përkthyer nga sllovenishtja në shqip, vëllimin poetik me titull “Zemra në mur” të autorit nga Ljubljana Srečko Čoz. Ky libër përmban 108 poezi dhe është botuar në Tiranë. Analiza dhe vlerësime mbi poemat e poetit Srečko Čoz, kanë shkruar Darinka Pavlic –Kamien, dhe përkthyesi Safet Sadiku. 

Me këtë rast po përmendim vetëm disa nga artikujt dhe krijimet më mbreslënës për lexuesit: 1). Ese: “Në Hap” botuar në “Qëndresa” Koper, nr. 4/5, dhjetor 1990. 2). Përkthimin nga kroatishtja (marrë nga “Fokus”-Zadër) artikullin e autorit, mr. Halil Alidemës,”Serbosllavija Murtajë në Ballkan” botuar në “Qërndresa”, Koper, nr. 4/5, dhjetor 1990, ( i përkthyer në sllovenisht dhe në italisht). E ribotuar edhe në “Bota Sot”me 7 prill 1996. 3). Intervistë me Mehë Ukën, (dëshmor i lirisë), ish udhëheqës i Kryesisë së Rinisë Studentore të Universitetit të Kosovës, botuar në “Qëndresa”, më 21 mars 1991, botimi në Prishtinë 4). Intervistë me Adem Demaqin “Ta kuptojmë njëri-tjetrin” botuar në “Qëndresa” Zürich, shtator 1991. 5). Intervistë me z. Murteza Bajaraktari, ish sekretarin e parë të ambasadës së Shqipërisë në Bern, “Lufta duket e paevitueshme”, botuar në  “Mërgimi”(Zvicër), gusht të vitit 1992. 6). “Fati i nxënësve shqiptarë në diasporë”, botuar në “Rilindje” më 3 korrik 1992. 7). Safet Sadiku ka dhënë intervistë në të përditshmen sllovene “Republika”, botuar  më 5 prill 1994. “Za Kosova je resitev neodvisna republika” (Për Kosovën zgjidhja e vetme është një Republikë e pavarur).  8). Analizë: “Kush është mr. Ukshin Hoti” botuar më 15 shtator 1994 në “Zëri i Kosovës”.  9). Përsiatje Politike: “Kush është i gjallë e kush është i vdekur?!” botuar në “Bota Sot” më 21 qershor 1996. 10). Analizë: “Gjykata e Hagës teatër politik ndërkombëtar apo vërtet institucion i drejtësisë?!” botuar më 30 shtator 2002 në “Fakti”. 11). Analizë: Maqedonia një ardhmëri me shumë pikëpyetje” botuar më 14 tetor 2002, “Fakti”. 12). Përkthyer nga gjermanishtja, studimin e marrë nga “Terra Cognita”, “Migrimi, kultura dhe lidhjet nacionale”,(tri vazhdime ), botuar më 5 nëntor 2002 në “Fakti”. 13). Intervistë me dr. Gjovalin Shkurtaj, “Vërejtje dashamirëse për gjuhën e mediave”, botuar më 20 qershor 2003 në “Fakti” (tri vazhdime).  14). Persiatje politike: “Cili do të jetë përcaktimi i statusit juridiko-politik i Kosovës?”, botuar më 30 prill 2005 në “Fakti”. 15). Poashtu me rastin e pavarësisë së Kosovës, “17 Shkurt 2008” jep një intervistë në të përditshmen “Punkt. CH”, (botuar më 3 mars 2008) ku në pyetjen e gazetarës se çfarë do të thotë  Pavarësia  e Republikës së  Kosovës?, z. Safet Sadiku, e thotë qartë: Asgjë më shumë, asgjë më pak se sa një pjesë e korigjimit të historisë shqiptare. Kemi pritur 100 vjetë për këtë ditë”etj. 16). Recension, kushtuar vëllimit poetik “Zvicra Shqipëria ime” e poetit Vehbi Skënderi, botoi,  “Pashtriku” më 9 prill 2012 ( dhe media të tjera elektronike). Natyrisht se lista e artikujve të botuar është shumë-shumë e gjatë, dhe se z. Safet Sadiku gjatë tërë këtyre viteve të aktivitetit të tij në Zvicër ka shkruar qindra-qindra artikuj kushtuar mësimit plotësues të shkollës shqipe, për aktivitete kulturore dhe humanitare të mërgimtarëve shqiptarë, për sportistët shqiptarë dhe shumë veprimtarë të sukseshëm në profesionet e tyre.

Leave a Reply