Dua Lipa promovon një autore shqiptare në botë, zgjedh “Të lirë” të Lea Ypit si librin e muajit

0
29

Dua Lipa ka zgjedhur ta nisë muajin korrik duke i dhënë vëmendje një prej veprave më të vlerësuara të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ylli me famë botërore ka përzgjedhur librin “Të lirë” (Free) të autores shqiptare Lea Ypi si rekomandimin e muajit në klubin e saj të librit, Service95.

Përmes platformës kulturore që ka themeluar, këngëtarja fton lexuesit nga e gjithë bota të njihen me historinë personale të Lea Ypit, e cila rrëfen fëmijërinë e saj në Shqipërinë e izoluar gjatë regjimit komunist dhe sfidat që solli tranzicioni pas rënies së sistemit.

https://www.instagram.com/p/DaiUImXoDXY/?utm_source=ig_web_copy_link&igsh=NTc4MTIwNjQ2YQ==

Në prezantimin e librit, Service95 vlerëson mënyrën unike me të cilën autorja e ndërton rrëfimin përmes këndvështrimit të një fëmije.

“Lea përshkruan një vend stalinist aq të izoluar politikisht, sa kishte prishur marrëdhëniet jo vetëm me Perëndimin, por edhe me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Këndvështrimi i një fëmije e bën këtë realitet të pazakontë të duket krejtësisht normal”, thuhet në përshkrimin e platformës.

Një nga episodet më të veçanta të librit është ai i një kanaçeje Coca-Cola, e cila në Shqipërinë e asaj kohe shndërrohet në simbol të luksit dhe statusit shoqëror.

“Një kapitull i tërë i kushtohet një kanaçeje Coca-Cola. Në Shqipërinë e Leas, një kanaçe bosh Coca-Cola ishte një simbol statusi; diçka që njerëzit e dëshironin dhe e lakmonin. Nëna e saj kursen para për të blerë një të tillë. Ajo humbet, shpërthen një konflikt mes fqinjëve dhe, kur gjithçka zgjidhet, të gjithë tashmë kanë kaluar te Fanta”, përshkruan Service95.

Megjithatë, platforma thekson se “Të lirë” nuk është vetëm një dëshmi për jetën nën komunizëm, por edhe një reflektim i thellë mbi kuptimin e lirisë dhe sfidat që sjell ajo.

“Përtej absurditetit, ‘Të lirë’ tregon se çfarë ndodh kur liria më në fund mbërrin dhe rezulton shumë më e ndërlikuar nga sa ishte imagjinuar. Fabrikat mbyllen, vendet e punës zhduken, familjet ndahen dhe shpërthen lufta civile. Përballë kaq shumë kuptimeve të ndryshme të lirisë, Lea nis të pyesë veten: Çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i lirë?”, thuhet më tej në prezantim.

Lea Ypi është një nga autoret shqiptare më të njohura në botë. Libri “Të lirë” është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar gjerësisht nga kritika ndërkombëtare për mënyrën intime dhe të sinqertë me të cilën trajton jetën në Shqipërinë komuniste dhe tranzicionin drejt demokracisë.

Service95, platforma kulturore e themeluar nga Dua Lipa, publikon çdo muaj rekomandime librash dhe përmbajtje kulturore me synimin për të promovuar autorë dhe histori që nxisin debat dhe reflektim mbi çështje shoqërore e njerëzore.

Përzgjedhja e “Të lirë” si libri i muajit e vendos edhe një herë letërsinë shqiptare në qendër të vëmendjes së lexuesve ndërkombëtarë, falë mbështetjes së një prej emrave më të njohur të muzikës botërore. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here