Shëndeti i personave që vuajnë nga probleme kardiake, mund të përkeqësohet gjatë dimrit. Mjekja kardiologe Manjola Lika thotë se tashmë është piku i vizitave ambulatore për sa i takon komplikacioneve të zemrës, ndikuar nga moti.
“Rastet e pacientëve që janë në kushtet e virozave, të cilat ndiejnë dhimbje në kraharor, mbajtje fryme apo rëndesë të gjendjes së përgjithshme, gjendje lipotemie janë pacientë të cilët janë të shtuar në këtë situatë”, thotë Manjola Lika, kardiologe.
Mungesa e kujdesit nga vetë pacienti, kur ditët janë të ftohta mund të çojë nga ishemi deri në vdekje të papritura.
“I ftohti jep një vasokontruksion në organizëm e cila reflektohet me shifra më të larta të presionit arterial, ndërkohë vetë i ftohti rrit viskozitetin e gjakut duke i bërë pacientët kardiakë të prirur për tromboza, evente ishemike të zemrës apo evente më fatale siç është infarkti i miokardit dhe vdekjet e papritura”, shprehet mjekja.
Jo më pak ndikon virusi i gripit tek kjo kategori të sëmurësh kronikë. Edhe në rastet e një gripi të lehtë gjendja mund të rëndohet në pak kohë duke shtuar riskun për probleme kardiake.
Sipas mjekes, shumica e pacientëve që vuajnë nga probleme kardiake janë mbi 50 vjeç, por nuk mungojnë as rastet e sëmundjes tek të rinjtë e cila ndikohet gjithmonë e më tepër nga stili i jetesës./Euronews