Miratohet raporti, Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

0
83

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, nga Parisi ka thënë se sapo është miratuar propozimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, raporton Sinjali.

Ai tha se ky është “Një hap jetik që i hap rrugë vendimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Këshillit të Ministrave.”

Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka shkruar se raporti është votuar në favor të Republikës së Kosovës.

“Sot, Kosova është një hap më afër anëtarësimit në KËSHILL TË EVROPËS!”, ka shkruar ajo.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Leave a Reply