Mërgimtari kapet në flagrancë me substanca narkotike në Prizren, përfundon në Polici

0
253

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe së fundmi në Prizren, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Gjatë kontrollimit të shoferit të dyshuar, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë, të ndarë në dy pjesë.

Për shkak të posedimit të drogës, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.

Sinjali mëson se gjatë dhënies së deklaratës, i riu i ka njoftuar Policinë se është përdorues i narkotikëve.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor./Gazeta Sinjali/

Leave a Reply