Më shumë se gjysma e kosovarëve nuk kanë para për pushime

0
319

Hydi Morina nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se 57 për qind e kosovarëve nuk kanë para për pushime njëjavore në bregdet apo diku tjetër.

Morina ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve.

“Rreth 57% e ekonomive familjare nuk mund ta përballojnë një javë pushim jashtë shtëpisë, në bregdet, mal apo kudo. Nuk kanë hapësirë buxhetore që të kenë pushim prej një jave”, ka thënë ai në emisionin “SOT” të KTV-së.

Shpenzimet për ekonomitë familjare në Kosovë, sipas Morinës, janë rritur jashtëzakonisht shumë. Por jo edhe të ardhurat.

“Kushtet e jetesës varen prej të ardhurave. Të ardhurat në ekonomitë familjare në Kosovë janë rritur jashtëzakonisht pak, ndërsa shpenzimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, veçanërisht në konsum. Konsumi merr 55% të të hyrave të ekonomive familjare. Raporti i fundit i kushteve të jetesës është bërë më 2021”, ka thënë ai.

Ekonomitë familjare kanë vështirësi edhe te pagesa e kredive e pagesa të tjera.

“63.3% janë në vështirësi të mëdha për kthimin e kredive, ndërsa për pagesa të ndryshme është një përqindje më e madhe, rreth 85%”, ka thënë Morina, i cili shtoi se ka familje që marrin kredi për të shkuar në pushime, por që nuk kanë statistika për këtë.

43 për qind e kosovarëve nuk janë në gjendje të kenë një shpenzim të menjëhershëm të shumës 100 euro, sipas ASK-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here