Afati kushtetues po afron: Çfarë ndodh nëse Kosova mbetet pa President pas 4 tetorit?

0
18

Kosova mund të përballet me një situatë të paqartë kushtetuese nëse deri më 4 tetor nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri.

Albulena Haxhiu, e cila aktualisht ushtron detyrën e Presidentes, më 9 shtator u zgjodh sërish në krye të Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu e mori detyrën e ushtrueses së Presidentes më 4 prill, pas përfundimit të mandatit të presidentes së atëhershme, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, Presidenca ka deklaruar se, edhe pas zgjedhjes së Haxhiut si kryetare e Kuvendit, ajo do të vazhdonte të ushtronte detyrën e Presidentes deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

Megjithatë, sipas hulumtuesit ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, ushtrimi i detyrës së Presidentit mund të zgjasë maksimumi gjashtë muaj, ndërsa ky afat duhet të llogaritet nga momenti kur përfundon mandati i Presidentit të rregullt dhe fillon ushtrimi i detyrës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta sa i përket kohëzgjatjes së ushtrimit të detyrës së Presidentit: ushtrimi i kësaj detyre mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. Ky afat duhet të llogaritet nga momenti kur ka përfunduar mandati i Presidentit të rregullt dhe ka filluar ushtrimi i detyrës”, ka deklaruar Kolshi.

Kushtetuta përcakton se posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

Sipas Kolshit, pas përfundimit të këtij afati, vazhdimi i ushtrimit të detyrës së Presidentit nuk do të kishte bazë kushtetuese.

“Për rrjedhojë, pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së Presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese dhe do të krijonte cenim serioz të rendit kushtetues”, është shprehur ai.

Megjithatë, Kolshi ka theksuar se Kushtetuta nuk përcakton shprehimisht se çfarë ndodh nëse, pas përfundimit të gjashtë muajve, Kuvendi ende nuk ka zgjedhur Presidentin e ri.

“Problemi është se Kushtetuta nuk ka parashikuar shprehimisht se çfarë ndodh nëse, pas përfundimit të këtyre gjashtë muajve, Kuvendi ende nuk ka zgjedhur Presidentin e ri. As jurisprudenca ekzistuese e Gjykatës Kushtetuese nuk ka dhënë një zgjidhje të drejtpërdrejtë për një situatë të tillë”, ka thënë Kolshi.

Sa i përket personit që duhet të ushtrojë detyrën e Presidentit, ai ka sqaruar se kjo kompetencë lidhet me funksionin kushtetues të kryetarit të Kuvendit dhe jo me individin që e ka mbajtur më parë këtë post.

“Sa i përket çështjes se kush e ushtron detyrën e Presidentit, kjo kompetencë nuk lidhet me emrin e personit konkret, por me funksionin kushtetues të Kryetarit të Kuvendit. Pra, në momentin kur Kuvendi konstituohet dhe zgjedh Kryetarin e ri, është Kryetari i ri i Kuvendit ai që, sipas Kushtetutës, duhet ta ushtrojë detyrën e Presidentit”, ka deklaruar ai.

Kolshi ka paralajmëruar se përfundimi i afatit gjashtëmujor pa zgjedhjen e Presidentit të ri do të krijonte një situatë të jashtëzakonshme në aspektin kushtetues dhe institucional.

“Pas përfundimit të afatit maksimal gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit, nëse ndërkohë nuk është zgjedhur Presidenti i ri, situata kushtetuese dhe institucionale do të komplikohej në mënyrë të jashtëzakonshme. Çështja nuk do të ishte më vetëm se kush e përfaqëson Republikën e Kosovës si kreu i shtetit, por kush do t’i ushtronte një varg kompetencash që Kushtetuta ia rezervon shprehimisht Presidentit”, ka thënë ai. /Frontonline