Një 21-vjeçare nga Prizreni, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi ishte larguar nga shtëpia së bashku me vajzën e saj 9-muajshe, është lokalizuar nga Policia. Familjarët nuk kishin informacione për vendndodhjen e saj dhe nuk kishin arritur ta kontaktonin në telefon, por hetimet kanë zbuluar se e reja ishte kthyer te bashkëshorti i saj, mëson Gazeta Sinjali.
Rasti ishte raportuar më 19 nëntor në Stacionin Policor në Prizren, pasi e reja ishte larguar nga shtëpia rreth orës 13:30 dhe nuk kishte dhënë informacione për vendndodhjen e saj.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për G.B, rreth 21 vjeçe, ndërsa denoncimi ishte bërë nga nëna e saj, F.B.
Nëna kishte deklaruar se vajza ishte larguar nga shtëpia duke marrë me vete edhe foshnjën e saj 9-muajshe.
E shqetësuar për mungesën e kontaktit, ajo kishte tentuar ta telefononte, por e reja nuk ishte përgjigjur.
Gjatë raportimit, nëna kishte shprehur dyshimin se vajza mund të kishte shkuar te ish-bashkëshorti i saj në Pejë.
Pas denoncimit, Policia kishte iniciuar rastin “Person i zhdukur” dhe kishte nisur veprimet për gjetjen e saj.
Hetuesit rajonalë të Prizrenit, në bashkëpunim me njësinë e hetimeve në Fushë Kosovë, kanë arritur ta lokalizojnë të renë.
Pas intervistimit, është sqaruar se ajo nuk ishte e zhdukur, por ishte kthyer te bashkëshorti i saj, me të cilin ka edhe një fëmijë.
Për zhvillimet e reja janë njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe familjarët e saj.
Kështu, rasti i raportuar si zhdukje është sqaruar pas lokalizimit dhe intervistimit të 21-vjeçares./Gazeta Sinjali/















































