Ndërmjetësi evropian në dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se është takuar me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me të cilët ka biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Takimi është zhvilluar në New York. Lajçak ka thënë janë në të njëjtën linjë në lidhje me zhvillimet dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kishim darkë mes miqsh të mirë në New York me Chollet dhe Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak në platformën X.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.
Nga BE-ja nuk kishte ndonjë reagim rreth akuzave të Kurtit, por në anën tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, u tha në përgjigjen e DASH për Zërin e Amerikës. /Reporteri.net