Njësia e Antidrogës në Policinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion gjatë ditës së djeshme që lidhet me një rast të para dy javësh, ku një person i dyshuar për shitblerje të drogës arriti të shpëtojë nga prangat dhe u arratis. Operacioni për kapjen e tij është kryer dje në mesditë dhe si rezultat i dyshuari është prangosur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Ardit Krasniqin, 24-vjeçar, i cili kishte ikur nga Policia më 14 mars, gjatë një aksioni policor.
Atë ditë, Policia ka arritur ta arrestojë Kreshnik Thaqin, i cili tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, 24-vjeçari i dyshuar është arrestuar dje bashkë me një person tjetër, ku gjatë kontrollit policor, iu janë gjetur një sasi e marihuanës, qindra euro, pako të ndryshme që nevojiten për shpërndarjen e drogës dhe prova të tjera.
Dëshmitë e gjetura janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari kryesor të dërgohet në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është lënë i lirë.
Brenda afatit ligjor, pritet që edhe ndaj 24-vjeçarit të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.