Kuvendarët në Prizren presin epilogun për deklaratën e faljes së tatimit në pronë

0
188

Çështja e faljes së 100 euro nga tatimi në pronë, të cilën e pati propozuar ministri i Financave, Hekuran Murati, u rikthye si temë në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Një numër asamblistësh kanë thënë të jenë vënë në lajthitje, kur e miratuan deklaratën në favor të faljes, ndërkohë që niveli qendror nuk ka ndërmarrë asnjë veprim

Një numër anëtarësh të Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë vlerësuar të enjten se janë vënë në lajthitje nga grupi i kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, kur e kanë votuar rekomandimin për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh.

Haziz Hodaj, asamblist i Lidhjes Demokratike (LDK), ka shprehur vërejtjen se nga pushteti nuk janë ofruar informacione se çfarë ka ndodhur me vendimin.

“Me ju thënë drejt, edhe vetë nuk e kam paguar ende, duke pritur që ky vendim me u bë i plotfuqishëm, mos po na bie me pagua më lirë, e nuk kemi informacion se çka po ndodh me këtë vendim”, ka theksuar ai.

E nënkryetari i Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi, e ka quajtur vendimin “mashtrim”.

“Sa i përket vendimit që e ka marrë ky kuvend ka qenë iniciativë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Ai ka qenë thjesht për mendimin tim një vendim mashtrimi për atë fazën kur u çuan të gjithë kundër rritjes së faturave të tatimit në pronë”, ka thënë ai.

Por Karanfil Haxhillari, nga radhët e LVV-së, ka thënë se Kuvendi i Prizrenit vetëm është deklaruar në favor të krijimit të një lehtësire për qytetarët.

“Ky kuvend nuk ka marrë vendim, sa herë me thënë. Ky kuvend është deklaruar që mbështet faljen e 100 eurove për tatimin në pronë”, ka bërë të ditur Haxhillari.

Por Hodaj nga LDK-ja ka vlerësuar se deklarata e miratuar në Kuvend është e pavlerë.

“Megjithatë, jemi lajthitë bashkë me mua dhe kemi shkua në konsultim atje dhe e kemi marrë një vendim për ta miratuar një deklaratë. Mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit për ta aprovuar një deklaratë”, ka theksuar ai.

Kuvendi i Prizrenit në fillim të muajit shkurt të këtij viti ka miratuar një rekomandim që i drejtohej Ministrisë së Financave për rishqyrtimin e vendimit për tatimin në pronë sikurse edhe për faljen e tatimpaguesve të vlerës prej 100 eurove të para. Pajtimi për rekomandimin ishte arritur midis shefave të grupeve, pas debatit të gjatë në seancën e jashtëzakonshme të iniciuar nga kuvendarët e Vetëvendosjes.

Leave a Reply