Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në konferencë për media të paralajmëruar nga ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Kurti në konferencën që pati në fokus çështjet që lidhen me banimin social dhe politikat për mbështetjen e familjeve në nevojë, këtë projekt e ka cilësuar si një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale.“Sot po prezantojmë projektin e banimit social adekuat në Republikën e Kosovës, një investim ky i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale. Kësisoj po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën e kemi vendosur në qendër të punës tonë si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kjo është përmirësimi i mirëqenies së familjeve e krijimi i kushteve më të mira për jetë”, tha Kurti.
Pacolli: Nga e hëna nisin marrëveshjet me 21 komuna për banimin social.
Ndërsa, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se nga e hëna do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, në kuadër të projektit për banim social.,“Duke filluar nga dita e hënë, ne nisim nënshkrimin e marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, duke shënuar kështu investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. Ky projekt nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një platformë e vërtetë për drejtësi sociale, ku askush nuk mbetet pas”, tha Pacolli.
Sipas saj, projekti ka një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro financohen drejtpërdrejt nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Ai ka një vlerë prej 37 milionë eurove, ku 25 milionë euro financohen direkt prej Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, deklaroi Pacolli.Kurti mori pjesë në këtë konferencë për media, ani se nuk ishte paralajmëruar nga Zyra e Kryeministrit./KP/















































