Kurti për Urën e Ibrit: Është absurde që të mbahet e mbyllur, sot takohem me Ulutashin

0
30

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se çështja e hapjes së Urës së Ibrit do të jetë pjesë e diskutimeve të tij me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, në takimin që pritet të zhvillohet pasditen e sotme.

Kurti tha se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për situatën rreth urës, ndërsa theksoi se edhe Ministria e Brendshme është pjesë e komunikimit të përditshëm.

“Për marrjen nën kontroll të urës, jemi në komunikim me KFOR-in. Kam një takim në Kryeministri me Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme”, tha Kurti.

Duke folur për situatën në veri të vendit, Kurti tha se mbajtja e Urës së Ibrit të mbyllur është bërë e pakuptimtë, veçanërisht pas ndërtimit të urave të reja në atë zonë.

Sipas tij, fakti që qytetarët kanë përdorur lirshëm urat e reja pa pasur rritje të incidenteve apo tensioneve dëshmon se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave kontribuon si në ekonomi, ashtu edhe në paqe e siguri.

“Pas ndërtimit të urave të reja, është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as tensioneve, tregon se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është e dobishme jo vetëm për ekonominë por edhe paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here