Kurti: Marrëveshja bazë, avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë

0
136

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e përkushtuar të jetë palë konstruktive në dialog dhe për këtë arsye kishte ofruar në takimin trepalësh të mbajtur në Bruksel më 27 shkurt që të nënshkruante Marrëveshjen bazë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Kurti në një videomesazh të dërguar në kuadër të edicionit të 11-të të Forumit të Mannheimit, ka thënë se shpreson që refuzimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të nënshkruante në Bruksel nuk është indikacion se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes.

“Fatkeqësisht presidenti i Serbisë e refuzoi dhe këtë refuzim e bëri publik pasi doli nga takimi. Javën e ardhshme do të takohemi sërish në Ohër. Shpresoj që refuzimi i Serbisë për të nënshkruar propozimin në Bruksel nuk është indikacion se ajo nuk pajtohet me përmbajtjen. Çdo ditë ne demonstrojmë kreativitetin e konstruktivitetin tonë. Ne besojmë se Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përmban një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e minoriteteve në të dy shtetet. Siguria dhe paqja në rajon e Evropë është mëse e nevojshme. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përparim edhe përkundër sfidave të mëdha”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se vizioni i Kosovës është të anëtarësohet në Bashkim Evropian.

Derisa ka kërkuar falje që nuk ka arritur të jetë prezent në Mannheim të dielën, Kurti ka thënë se të qenit kryeministër i Kosovës është punë mjaft intensive.

Në adresimin e tij, Kurti ka thënë se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në demokratizim, veçanërisht kur krahasohet me vendet e rajonit.

“Zgjedhjet janë konkurruese, të lira dhe të ndershme dhe partitë opozitare kanë shanse reale për të fituar. Kjo cilësi e lartë e demokracisë rezultoi gjithashtu në përparim të dukshëm ekonomik”, ka thënë ai.

Ai më tej ka thënë se Kosova është e gatshme të zë vend në komunitetin evropian, duke përmendur dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor të vitit të kaluar.

Kurti gjithashtu ka përmendur luftën në Ukrainë, për çka tha se Kosova e ka ende të freskët ndjenjën e luftës.

“Lufta e ka ndezur Evropën edhe një herë, një luftë që ne nuk e dimë se si mund të ishte parandaluar, një luftë që ka nisur me pretendime të rreme. 24 Shkurti 2022, na bëri të kuptojmë se sa vendimtare janë demokracia dhe sundimi i ligjit për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit”, ka thënë ai./Koha

Leave a Reply