Kryeministri Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka thënë se rënia heroike e Ademit kishte bërë që ai të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai është gjallë edhe sot, veçanërisht te ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti tha se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i Ademit, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë”, edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti.
“Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit, në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, shtoi ai.