Kosova pëson në start të Ligës e Kombeve, mposhtet nga Rumania

0
93

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka startuar me humbje kampanjën e re të Ligës së Kombeve.

Të premten mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, “Dardanët” u mposhtën nga Rumania me rezultatin 3:0.

Me këtë fitore, Rumania i prinë grupit me tri pikë sa i ka edhe Qipro, ndërsa Lituania e Kosova mbeten pa pikë.

Kjo disfatë nga Rumania në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, zbeh gjasat e Kosovës për ta mbyllur këtë kampanjë të kësaj gare në pozitën e parë, që e kishte edhe synim.

Në përgjithësi, Kosova nuk shfaqi lojë të mirë dhe nuk ishte agresive sikurse Rumania, ekip ky që mori pjesë në “Euro 2024” dhe avancoi nga faza e grupeve.

Në pjesën e parë, Milot Rashica e pati një tentim me kokë në minutën e 30-të, por topi përfundoi në duart e portierit të Rumanisë. Ndërsa, në kohën shtesë të kësaj pjesë, Vedat Muriqi gjuajti jashtë.

Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në minutën e 40-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, sulmuesi i krahut Denis Man e mposhti portierin Arijanet Muriq për ta kaluar Rumaninë në epërsi.

Me rezultatin 1:0 në favor të Rumanisë përfundoi pjesa e parë, ndonëse mysafirët në minutën e 42-të e qëlluan edhe shtyllën.

Me të filluar pjesa e dytë, Rumania e dyfishoi epërsinë. Në minutën e 51-të, Razvan Marin shënoi nga penalltia, të cilën e shkaktoi Valon Berisha.

Në fakt, penalltia u akordua pas intervenimit të VAR-it dhe Berisha për këtë ndërhyrje u ndëshkua me karton të verdhë.

Rumania e qëlloi edhe traversën, përpara se ta shënoj edhe golin e tretë në këtë takim për ta vulosur fitoren ndaj Kosovës.

Në minutën e 82-të pas gabimit të Fidan Alitit përfitoi Marin, i cili shënoi golin e tij të dytë personal në këtë përballje.

Deri në fund të takimit, Kosova mbeti edhe me një futbollist më pak në fushë pasi Mërgim Vojvoda u përjashtua në minutën e 85-të pas dy kartonëve të verdhë.

Te Kosova në këtë ndeshje debutuan edhe “prurjet e reja”, Elvis Rexhbeçaj e Fisnik Asllani por që nuk patën ndonjë ndikim në lojë.

Ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, Kosova e luan të hënën kundër Qipros në Larnaca.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here