KMDLNj: Raporti Gjykatë Kushtetuese – AKI, a po rrezikohet siguria kushtetuese dhe fizike në Kosovë!

0
150

Ditë më parë, portali Papraci ka informuar se ekziston një dokument me anë të të cilit janë informuar partnerët perëndimorë për një takim tepër shqetësues dhe serioz midis drejtuesit të AKI –së, Petrit Ajeti dhe Gresa Cakës, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me ç’rast shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka që përmbanë të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ky takim ishte mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me 31 mars 2023 në kushte të tensionimit të lartë ku, sipas Paparacit kishte elemente shantazhi nga drejtuesi i AKI –së, Petrit Ajeti. Takimi ishte mbajtur dy ditë pasi Kanal 10 kishte raportuar se mandati i presidentes rrezikohet nëse mandati i deputetit të Iniciativëa Rome,  Fadil Gashi, del të jetë jo – legjitim. Për ta kundërshtuar legjitimitetin e mandatit të deputetit Gashi, ishte parashtruar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës më 13 prill 2021 nga Veton Berisha dhe Albert Kinolli, përfaqësues të partive të komunitetit rom dhe egjiptian.

Në ndërkohë u krijua një debat që merrej me fatin e presidentes, Vjosa Osmani që ishin të sigurt se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë jo – legjitim mandatin e deputetit Gashi dhe, si pasojë,  presidentja do të rrëzohej sikur që u aktivizuan forcat mbrojtëse të presidentes që këtë parashikim të disa mediave në Kosovë e njëjtësonin me politikat e Serbisë. Ky ishte argumenti i tyre që, në formën më të butë mund të konsiderohet si sulm ndaj mendimit ndryshe. Po në të njëjtën kohë u përfolë një koalicion i mundshëm si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bisedimet që zhvilloheshin thuaja disa muaj. Kur pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e partive minoritare, gjërat u heshtën ashtu edhe parashikimet. Qartazi diçka po vlonte brenda Gjykatës Kushtetuese. Përfolej se do të jetë një vendim kompromisi ku, as presidentja nuk do të rrëzohej dhe as që të të kishte ndryshime në skenën politike. Si mundësi e që si praktikë edhe mund ta vendosë Gjykata Kushtetuese, deputeti Berisha që i ishte marrë mandati pa të drejtë, do të kompensohej për kohën e mandatit të kontestuar, ndonëse mandati i deputetit është ende aktiv sikur që mungon edhe baza ligjore për kompensim të këtij lloji.

Pasi artikulli i Paparacit pati jehonë të madhe në opinion, reaguan edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës sikur edhe AKI, gjë që nuk sqaruan thuaja asgjë përveç se e mbuluan me një shtresë makiazhi që, sigurisht është arsyetim logjik dhe i pritshëm i çdo shërbimi informativ, jo vetëm në Kosovë, por jo edhe ai i Gjykatës Kushtetuese.

Nëse del të jetë i vërtetë pohimi i Paparacit për “luftën“ e dy strukturave kryesore të shtetit, Gjykatës Kushtetuese, si kulm dhe adresa e fundit e sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës dhe AKI –së, si eminenca gri e sigurisë fizike dhe shtetërore atëherë, qytetarët e Kosovës duhet të jenë shumë të brengosur në duart e kujt e kanë lënë sigurinë juridike dhe sigurinë fizike sikur edhe ate  shtetërore.

KMDLNj –ë e kupton se për opinionin nuk mund të bëhen publike të gjitha informatat që ndërlidhen me sigurinë e shtetit mirëpo nuk po e kupton pse për këtë ngjarje, ende vetëm hipotetike, nuk kanë reaguar komisionet përkatëse parlamentare që e kanë për mandat mbikëqyrjen  e këtyre dy institucioneve, me rëndësi të veçantë apo vendimtare për funksionimin e shtetit.

Qytetarët duhet të informohen për fatin e tyre, mbrojtjen juridike dhe kushtetuese të tyre dhe mbrojtjen fizike nga ndërhyrjet e jashtme si dhe ato të brendshme ku AKI–i ka rol jetik. Është e drejtë e njeriut të informohen sepse, në atë mënyrë e ruajnë besimin për institucionet që e kanë këtë përgjegjësi; Gjykata Kushtetuese dhe AKI –i. Edhe në Gjykatën Kushtetuese sikur edhe në AKI ka pasur emërime dhe shkarkime të motivuara politikisht, sidomos në AKI, prandaj lindin këto dyshime të cilat, nëse nuk përgënjeshtrohen nga institucionet përgjegjëse që i mbikëqyrin, atëherë më nuk mund të flitet vetëm për dyshim por për të vërtetën.

KMDLNj –ë kërkon që të sqarohet për opinionin nëse vërtetë ky takim i datës 31 mars 2021 midis kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka dhe drejtuesit të AKI –së, Petrit Ajeti është ashtu siç është raportuar në artikullin e Paparaci apo është në pyetje një e vërtetë edhe më e rëndë se kjo e Paparacit.

 Gjykata Kushtetuese dhe AKI –ë kanë mandat të qartë dhe të përcaktuar me ligj dhe nuk mund të dalin jashtë atij mandati. Gjykata Kushtetuese ka mandat të vërtetojë nëse një vendim, emërim apo ligj është në kundërshtim  ose pajtim me  Kushtetutëne e Kosovës kurse AKI ka përgjegjësi ligjore ta bëjë verifikimin e përshtatshmërisë apo ta jepë kartelën e sigurisë për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuses dhe institucioneve tjera të rëndësishme për sigurinë e vendit kurse, a janë të përfshirë gjykatësit e GJK në krime apo janë të shantazhuar, është përgjegjësi e organeve hetimore; policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit  dhe gjykata përkatëse!

Leave a Reply