Jürgen Klopp është një hap larg emërimit si trajneri i ri i Kombëtares së Gjermanisë.
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) e ka thirrur një konferencë për shtyp për nesër, në orën 11:00, ku, nëse nuk ka surpriza të minutës së fundit, do të prezantohet zyrtarisht ish-trajneri i Liverpoolit si pasardhësi i Julian Nagelsmannit.
Vendimi vjen pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 në fazën e 1/16-ës së finales ndaj Paraguait, rezultat që çoi në largimin e Nagelsmannit nga bankina e “Mannschaft”.
Që nga ai moment, emri i Kloppit ishte kandidati kryesor për ta marrë drejtimin e përfaqësueses gjermane.
Vetë Klopp kishte konfirmuar ditët e fundit se bisedimet me federatën ishin në zhvillim.
“Mund të konfirmoj se ka bisedime në vazhdimësi. Situata ka marrë zhvillim shumë shpejt”, ishte shprehur ai për MagentaTV gjatë Botërorit.
Sipas mediave gjermane, palët tashmë e kanë arritur marrëveshjen përfundimtare dhe njoftimi zyrtar pritet të bëhet gjatë konferencës së nesërme.
Për Kloppin, kjo do të jetë një sfidë krejtësisht e re pas eksperiencës së suksesshme në krye të Liverpoolit, të cilin e drejtoi për nëntë sezone deri në vitin 2024.
Me “The Reds” ai e fitoi Premierligën, Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe Kupën e Botës për Klube, duke u shndërruar në një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të klubit anglez.
Tashmë ai do ta ketë detyrën ta rikthejë Gjermaninë në elitën e futbollit botëror, pas disa zhgënjimeve radhazi në turnetë e mëdhenj dhe ta ndërtojë një ekip konkurrues për vitet e ardhshme.
Kontrata e tij pritet të jetë e vlefshme deri në Kupën e Botës 2030. /Gazeta Express















































