Këtë vit pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë

0
233

Gjatë këtij viti pritet që të fillojë ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë, ku do të nis nga fshati Restelicë e Dragashit në drejtim të Tetovës.

Gjatë këtij viti pritet që të fillojë ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë, ku do të nis nga fshati Restelicë e Dragashit dhe deri në Tetovë.

Qeveria e Kosovës, për vitin 2023 ka ndarë nga buxheti vetëm 2 milionë euro për nisjen e ndërtimit të kësaj rruge.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte deklaruar se vlera e këtij projekti parashikohet të kap vlerën e mbi 150 milionë eurove dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2026.

Nga projekti i prezantuar, nga 109 kilometra rrugë nga Prizreni në Tetovë, kjo pritet të shkurtohet në 40.6 kilometra, duke përfshirë edhe tunelin me gjatësi prej 6.4 kilometra.

Ky projekt, nga Ministrit Liburn Aliu është cilësuar si shumë i rëndësishëm, pasi përpos që lidh Prizrenin me Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme siç janë korridori 8, nga Shkupi në Durrës, dhe korridorin e rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë të cilat lidhen përmes rrugës Prizren-Tetovë.

Për këtë projekt, dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2021 kishin mbajtur mbledhje të përbashkët duke nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e kësaj rruge.

Kosova me Maqedoninë e Veriut lidhjen kryesore rrugore e ka përmes autostradës “Arbën Xhaferi” që lidhë Prishtinën me Shkupin.

Gjatësia e kësaj autostrade është rreth 60 kilometra dhe për ndërtimin e saj nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar më shumë se 600 milionë euro.(Festina Rexhaj)./Media Ndërtimi

Leave a Reply