Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë në Prizren, nën dyshimin se merreshin me shpërndarje të substancave narkotike, mëson Sinjali.
Të arrestuarit janë Triti Shahini, rreth 21-vjeçar dhe Edin Xhabali, rreth 24-vjeçar, të cilët u kapën në flagrancë në rrugën “Nazim Buduri”, pas informacioneve operative të njësisë antidrogë.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, të njëjtit dyshohet se bashkëpunonin mes vete dhe shpërndanin marihuanë si në rrugë, ashtu edhe nga shtëpitë e tyre.
Gjatë aksionit dhe kontrollit të shtëpive janë sekuestruar marihuanë, mbetje të kokainës, para të gatshme, qese për paketim dhe telefona mobil.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet si “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Hetimet janë në vazhdim./Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.















































