Ka hyrë në javën e tretë greva në arsim, teksa nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme kanë mbetur pa filluar procesin mësimor këtë vik shkollor.
Pavarësisht kërkesave dhe ofertave, deri më tani SBASHK-u dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët, e që me këtë do të ndërprehej greva e mësimdhënësve.
Bajram Kastrati, asambleist i AAK-së pranë Komunës së Prizrenit, i ka ftuar prindërit e lagjës “Arbanë” që nga nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
“Të dashur prindër të lagjës Arbanë, ju ftoj nga nesër t’i dërgojmë fëmijët në shkollë.
Duke pasur parasysh kërkesat e arsyeshme të arsimtarëve dhe duke respektuar ata, konsideroj se kemi pritur mjaft dhe kemi sakrifikuar shumë me fëmijë.
Pa dashur të politizoj, por po vërehet qartë edhe “gatishmëria” e qeverisë për të bërë zgjidhje!
Arsimtarë të nderuar, përkrahjen tonë e keni, por ju lusë të gjeni forma tjera të protestës, jo duke sakrifikuar fëmijët tanë.
Edhe njëherë ftoj të gjithë prindërit dhe arsimtarët (që shumica prej tyre edhe vetë janë prind), që nga nesër t’i kthejmë nxënësit në shkollë dhe atë vetëm për hirë të fëmijëve.
Me respekt…”, thuhet në reagimin e Kastratit./04 Online