Kanadaja shkatërron Katarin me gjashtë gola, David shkëlqen me het-trik

0
36

Kanadaja ka regjistruar një fitore të thellë 6-0 ndaj Katarit në ndeshjen e Grupit B, duke dominuar plotësisht takimin e zhvilluar në Vancouver.

Ylli i mbrëmjes ishte Jonathan David, i cili realizoi het-trik, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Cyle Larin dhe Nathan-Dylan Saliba. Një autogol i Mohamed Naceur Almanait kompletoi disfatën e rëndë të Katarit, shkruan 04 Online.

Kanadezët kaluan në epërsi në minutën e 16-të me Larin, ndërsa David realizoi dy herë në pjesën e parë për ta çuar rezultatin në 3-0 para pushimit.

Sfida mori një kthesë edhe më të vështirë për Katarin, pasi Ahmed u përjashtua me karton të kuq në pjesën e parë. Situata u rëndua në minutën e 51-të, kur Madibo u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Ismael Konés, i cili pësoi një dëmtim serioz dhe u largua nga fusha me barelë.

Me dy lojtarë më pak, Katari nuk arriti të reagojë. Saliba shënoi një gol të bukur nga goditja e lirë, ndërsa më pas Almanai devijoi topin në portën e tij. Në kohën shtesë, David kompletoi het-trikun për rezultatin përfundimtar 6-0.

Pavarësisht triumfit bindës, festa e Kanadasë u zbeh nga dëmtimi i rëndë i mesfushorit Ismael Koné./04 Online/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here