Jasharaj: Koeficienti i pranuar nga punëtorët e arsimit është 120 euro

0
168

Edhe përkundër që Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, dekretimit nga presidentja, dhe publikimit në gazetën zyrtare, punëtorët e sektorit të arsimit ende nuk e dinë vlerën e koeficientit.

Drejtues të Sindikatës se Arsimit kanë bërë të ditur se vlera e koeficientit të pranuar nga ana e tyre është jo me pak se 120 euro.

Punëtorët e sektorit të arsimit në vend ende nuk e kanë të njohur vlerën e koeficientit të pagave që është paraparë me Ligjin e ri për Pagat e që pritet të hyjë në zbatim në muajin shkurt të këtij viti.

Drejtues të sindikatave pas miratimit të ligjit nga ana e Qeverise dhe dekretimit nga Presidentja, kanë shprehur shqetësimin që ende nuk është përcaktuar koeficienti për pagat e zyrtarëve publikë.

Kryetari i Sindikatës se Arsimit, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se koeficienti i pranuar nga punëtorët e arsimit është 120 euro dhe se presin që ky koeficient të jetë edhe me i lartë.

“Ne, si SBASHK, nuk kemi folur shumë për vlerën e koeficienteve por ajo që është përmendur është shuma 120 euro e cila do të ishte e pranueshme karshi numrave të koeficienteve. Por ne urojmë që të jetë edhe me i lartë pasi Ligji do të siguronte edhe rritjen e pagave”, tha ai.

Jasharaj, shtoi se shumica e kërkesave që janë prezantuara nga ana e tyre janë përfshirë në këtë ligj dhe se presin sa që sa më shpejt të hyjë në zbatim.

“Ajo që mund të them dhe që e konsiderojmë si arritje është se pas gjithë këtyre angazhimeve koeficientet që i kemi prezantuar ne, që nga çerdhet deri në universitet, janë përfshirë në këtë ligj”, theksoi ai.

Ndërsa, ditë me parë Instituti i Kosovës për Drejtësi përmes një kërkese, ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. IKD vlerëson se ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik.

Leave a Reply