Çdo të dytin person në Kosovë, nëse pyetet, dëshiron të largohet nga Kosova, për të punuar në një shtet evropian.
Nisur nga aplikimet e shumta për tu larguar nga Kosova, vendi së shpejti do të përballet me mungesën e fuqisë punëtore. Kështu ka deklaruar Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
Azemi për këtë është nisur nga deklarimi i shtetit gjerman se ka nevojë edhe për mbi 400 mijë punëtorë të huaj, e mbase shifra mund të shkojë deri në një milion. Ndërkohë që ditë më pare Albinfo ka raportuar se vetëm në dhjetor kanë qenë rreth 57 mijë aplikime nga kosovarët për viza pune në Gjermani.
Shqipëria dhe Kosova renditen lartë, për sa i përket dëshirës së largimit nga vendi i lindjes. Shqipëria ishte e katërta në një listë me 152 vende përsa i përket dëshirës së qytetarëve për t’u larguar nga vendi.
Në anketën botërore të Organizatës Gallup, 60% e pjesëmarrësve nga Shqipëria shprehen se do të donin të largoheshin.
Kosova renditet e trembëdhjeta me 46% të pjesëmarrësve që shprehin dëshirë për t’u larguar. Mes shteteve të Evropës, Kosova dhe Shqipëria ishin vendet me përqindjen më të lartë përsa i përket dëshirës për imigrim.
Arsyet janë, punësimi, pagat, shëndetësia, standarti i jetës, shkollimi dhe më pak vizia turistike.