Hoti: Lidershipi i Kosovës të jetë i kujdesshëm në dialog, kushtëzimet na izolojnë

0
118

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth agresionit serb në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Lidhur me dialogun në rrethanat e reja pas sulmit terrorist në Banjskë – E para, tani është një moment i ri në proces të dialogut për normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tonë agresor. Në koordinim me aleatët, lidershipi i Kosovës duhet të shfrytëzojë këtë moment për të rivendosur bashkëpunimin e cenuar me aleatët dhe për avancim të integrimit euro-atlantik, e jo për politikë të brendshme siç po vepron tani”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në kushtëzimet që i bën kur vjen fjala te dialogu.

“E dyta, lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm në deklarime dhe kushtëzime lidhur me dialogun. Dialogu jonë është para se gjithash me Brukselin e Uashingtonin. Përmes tyre qendrave kalon rruga e Kosovës për BE dhe NATO. Rrugë tjetër nuk ka. Kushtëzimet na izolojnë. Shpresoj që kësaj radhe lidershipi i Kosovës ka zënë mend për rëndësinë e respektimit të këshillave të aleatëve, të cilët në çdo moment po e garantojnë kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial e sovranitetin e shtetit të Kosovës.  E treta, duhet rindërtuar konsensusi dhe dakordimi me aleatët tanë, i cili dakordim ka ekzistuar në qeverinë paraprake, për një proces dialogu që shpie tek marrëveshja për njohje reciproke si e vetmja zgjidhje për paqe të përhershme në këtë pjesë të Evropës. Lidershipi i Kosovës duhet të fokusohet në ndërtimin e këtij konsensusi me aleatët tanë, e jo në agjendë triviale për t’ia mbushur mendjen botës se çfarë është fqinji jonë verior. Jam i bindur se inteligjenca informative e aleatëve nuk ka nevojë për deklarime ditore të lidershipit të Kosovës”, shkroi Hoti.

Leave a Reply