Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027, përmes të cilit do të ndahen 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.
Hoti, përmes një postimi, ka njoftuar se programi u miratua në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon mbështetjen e familjeve që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
“Ditën e nisim me një tjetër lajm të mirë për qytetarët: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike”, shkroi Hoti.
Sipas tij, Kosova ka marrë obligime edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh mekanizma për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Hoti ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përfitim, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.
Në postimin e tij, Hoti ka uruar edhe presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke i shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional.
“Presidentes së re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, i uroj suksese dhe mbarësi në detyrën e saj të re, në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, shkroi ai. /Zëri















































